Konferenca e parë ndërkombëtare e infermierisë

Profesioni i infermierisë në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor duhet të forcohet që të adresojë sfidat shëndetësore në përgjigje të sëmundshmërisë në rritje dhe sfidave të reja që ka sjellë pandemia COVID-19. Nisur nga kjo krijimi i modeleve të reja të shërbimeve të kujdesit që plotësojnë nevojat më urgjente si parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të transmetueshme, kujdesi në banesë për të moshuarit, zgjidhjet elektronike në shëndetësi etj. janë disa nga rrugët që duhen eksploruar me qëllim përmirësimin e rolit të infermierëve si pjesë e ekipeve të KSHP-së.

Për të diskutuar këto tema, profesionistë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas të infermierisë u mblodhën së bashku në konferencën ndërkombëtare “Roli i infermierëve në kujdesin shëndetësor parësor përballë sfidave të reja shëndetësore” që u zhvillua më 2 mars 2022 në Tiranë në një format hibrid (diskutimet u zhvilluan në sallë dhe përmes seancave online). Konferenca u zhvillua nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë dhe u mbështet nga HAP.

Shqipëria po zbaton “Strategjinë e Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020-2025” e cila thekson nevojën për të përmirësuar trajnimin e infermierëve dhe rishikimin e roleve të tyre në mënyrë që të marrin përsipër detyra të reja dhe të luajnë një rol më të madh në përmirësimin e shëndetit të komuniteteve ku punojnë. Në mbështetje të zbatimit të Strategjisë, HAP ka prezantuar disa ndërhyrje që kanë si synim përmirësimin e kapaciteteve të infermierëvee në KSHP të tilla si: programi i ri master në Infemieri Famije, përditësimi i rolit dhe profilit të infermierëve në KSHP dhe hartimi e zbatimi I modeleve të reja të kujdesit në banesë-një shërbim ky i cili ofrohet kryesisht nga infermierët e familjes.

Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, theksoi mbështetjen që ka siguruar Zvicra për sistemin shëndetësor e vecanërisht ë fushën e infermierisë: “Jam shumë mirënjohëse për mbështetjen që na ka ofruar Zvicra që pre fillimit lidhur me forcimin e rolit të infermierëve. Fakti që jemi sot këtu për të diskutuar se si mund ta forcojmë edhe më tej këtë rol, tregon që kemi prezantuar qasje të qëndrueshme në këtë drejtim.”

Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Adrian Maître, vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare në transformimin e shërbimeve të KSHP-së në përgjigje te nevojave të popullatës. “Zvicra e mbështet plotësisht këtë synim– tha Ambasadori Maître- dhe ne, së bashku me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, jemi të gatshëm të vijojmë mbështetjen tonë nën koordinimin dhe drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Së bashku, mund të përdorim më mirë burimet tona, qofshin ato të jashtme ose vendase, për të arritur nevojat dhe synimet kombëtare.”

Gjatë konferencës u prezantuan 3 ndërhyrje të HAP në mbështetje të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri: i) Vlerësimi i roleve dhe funksioneve të infermierëve në KSHP në Shqipëri kundrejt axhendës kombëtare shëndetësore; (ii) Ndikimi i Grupeve të Kolegëve në rritjen e rolit të infermieres në menaxhimin e SJT-ve  dhe iii) Roli i infermieres së familjes në ofrimin e kujdesit shëndetësor në banesë.

Libri i abstrakteve të materialeve të prezantuara në konferencë, mund të shkarkohet këtu.