Prezantim i GK

Grupet e Kolegëve janë një nga llojet e aktiviteteve edukuese në vendin e punës nëpërmjet të cilit, mjekë dhe infermierë të së njëjtës qendër shëndetësore, por jo vetëm, takohen sipas një plani të paracaktuar për të diskutuar mbi çështje të ndryshme të praktikës së tyre klinike dhe menaxheriale të përditshme. Mjekët dhe infermierët mund të organizohen në grupe kolegësh sipas profesionit ose në grupe ndër-profesionale, me pjesëmarrjen e përbashkët të mjekëve dhe
infermierëve.

Grupet e Kolegëve si një formë e Edukimit në Vazhdim të profesionistëve të shëndetësisë njihet nga ASCK -ja si “Grup rishikimi” sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 788, datë 22.9.2015 (ndryshuar me VKM nr.304, datë 5.4.2017; nr.418. datë 4.7.2018) “Për përcaktimin e kritereve, standardeve dhe procedurave të procesit të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”.

Kundrejt formave klasike të trajnimit, eksperienca e funksionimit të Grupeve të Kolegëve ka treguar përparësitë si vijon:
1. Mundëson ndarje eksperiencash dhe diskutim ndërmjet kolegëve për raste/probleme të praktikës së përditshme klinike dhe menaxheriale nëpërmjet një procesi të planifkuar dhe të akredituar me qëllim përmirësimin e cilësisë së praktikës të secilit anëtar grupi dhe ushqyerjes të punës në ekip;
2. Është metodë efektive për të ndryshuar performancën e praktikës së përditshme KSHP sepse:
a) bazohet në takime periodike, të planifkuara për një periudhë nga disa javë deri disa muaj mes kolegëve në vendin e punës për të diskutuar në bazë të rasteve/problemeve që ndeshen në praktikën e përditshme;
b) Profesionistët reflektojnë në mënyrë kritike mbi procesin e punës së tyre lidhur me çështjen që diskutohet në takime me besim dhe pa asnjë gjykim për njëri-tjetrin;
c) është proces të mësuari me dhe ndërmjet profesionistëve/kolegëve dhe marrjes vendimeve dhe bërjes së planeve së bashku për ndryshim;
d) nuk marrin shumë kohë;
e) nuk prishin/ndërhyjnë në praktikën rutinë;
f) është aktivitet i akreditueshëm nga ASCK (VKM nr.788 datë 22.09.2015,
ndryshuar me VKM nr.304, datë 5.4.2017; nr.418. datë 4.7.2018)

 

Grupi i Kolegëve ngrihet dhe funksionon në përgjigje të një nevoje prioritare që kanë anëtarët e grupit si p.sh.:
Për të zbatuar një praktikë të re, p.sh vlerësimi i rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve 0-5 vjeç sipas kurbave të reja të rritjes të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH),.
Këtu përfshihet dhe
të mësuarit i kombinuar me edukimin në distancë.
Për të standardizuar praktikën e përditshme lidhur me manaxhimine një situate të caktuar shëndetësore mbështetur në udhëzues, protokolle të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, p.sh. Standardizimi i ndjekjes dhe vlerësimit të të rriturve me Diabetes mellitus tip II
Për të hartuar materiale trajnuese, edukuese/këshilluese për personelin e QSH-së dhe/ ose komunitetin të cilit i shërbehet p.sh hartimi i këshillave për ushqyerje të shëndetshme tek pacientët diabetikë.

Grupi i Kolegëve mund të përbëhet vetëm nga mjekë familje, vetëm nga infermierë ose edhe nga të dy së bashku, mjekë dhe infermierë, kur çështja që do të adresojë grupi në takimet e tij është në interes dhe në përgjigje të një nevoje të përbashkët të mjekëve dhe infermierëve.