Kalendari, orari dhe vendi i takimeve

Kalendari, prari dhe vendi i takimeve

Kalendari i Takimeve është dokumenti i parë që hartohet pas vendimit për ngritjen e grupit, deklarimit të facilitatorit dhe të përcaktimit të çështjes. Në hartimin e kalendarit të takimeve duhet mbajtur parasysh që takimi i parë zhvillohet minimumi 30 ditë pas dërgimit të aplikimit për akreditim te ASCK-ja (pika 1.1.1 e VKM 788).

Shpeshtësia e takimeve të tjera përcaktohet në përgjigje të qëllimit të përgjithshëm dhe atyre specifke që Grupi synon të arrijë me ciklin e takimeve. Kjo shpeshtësi mund të jetë një herë në javë, një herë në muaj, dy herë në muaj etj.

Një takim këshillohet të zgjasë 2-3 orë me qëllim që të mos cënohet shërbimi në ditën e takimit. Numri i takimeve dhe shtrirja në kohë e tyre vendoset nga grupi dhe janë në varësi të çështjes që do të trajtohet dhe të qëllimit që grupi synon të arrijë në fund të ciklit të takimeve. Në veçanti numri i takimeve dhe shtrirja në kohë e tyre varet nga nevoja që ka vetë Grupi për të shtrirë në kohë diskutimin, zbatimin në praktikë dhe matjen e asaj që synohet me ciklin e takimeve, varet nga vendimi për të ndarë eksperiencat e praktikës aktuale të anëtarëve të grupit bazuar në kqyrjen e kartelave klinike, nga nevoja për hulumtime, lexime shtesë, nga nevoja për ekspertizë jashtë grupit etj.
Takimet zhvillohen në atë orar që vendos Grupi dhe që nuk cënon punën/shërbimin e asaj dite. Në zbatim të kalendarit të takimeve, facilitatori vendos datën dhe orën e saktë të takimit bashkë me grupin dhe vë në dijeni Drejtorin e QSH-së një javë përpara takimit duke i lënë kohë të gjithë anëtarëve të grupit që ta përfshijnë takimin e Grupit në planin personal të punës të asaj dite.

Drejtori i QSH-së njihet me organizimin e Grupit, çështjen, kalendarin e takimeve dhe aplikimin për akreditim që në fllim të procesit. Drejtuesi i QSH-së e ka për detyrë të nxisë dhe mbështesë aktivitetet e Edukimit në Vazhdim në vendin e punës.* Takimet zhvillohen në një ambient të përshtatshëm në QSH, n.q.s. nuk ka një sallë të dedikuar për takime. ASCK-ja mund të monitorojë takimet e GK, të akredituar ose në proces, për të siguruar zbatimin e standardeve dhe kritereve të parashikuara. Gjithashtu, ASCK mund të realizojë vlerësimin e aktivitetit nga pjesëmarrësit në GK.

 

* Pika 5, neni 19, Kontrata Për financimin e Qendrave Shëndetësorepër vitin 2020 ndërmjet Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit
të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrës Shëndetësore.