Hyrje mbi GK

Projekti “Shëndet për të gjithë” (Health for All Project – HAP) i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ka prezantuar dhe mbështetur ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Kolegëve (GK) si një formë e re e Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor (EVM) në Shqipëri që prej vitit 2015 në qendrat e kujdesit parësor shëndetësor në qarkun Dibër dhe Fier. Grupet e kolegevë janë një nga llojet e aktiviteteve edukuese në vendin e punës nëpërmjet të cilit, mjekë dhe infermierë të së njëjtës qendër shëndetësore, por jo vetëm, takohen sipas një plani të paracaktuar për të diskutuar mbi çështje të ndryshme të praktikës së tyre klinike dhe menaxheriale. Udhëzuesi për ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Kolegëve është hartuar bazuar në eksperiencën e suksesshme të ngritjes dhe funksionimit të më shumë se 100* Grupeve të
Kolegëve në Qendrat Shëndetësore në qarkun Dibër dhe Fier dhe përtej. Ai është hartuar në përgjigje të kërkesave në rritje të profesionistëve shëndetësorë për të njohur për zbatim procesin e ngritjes dhe funksionimit të kësaj forme të trajnimit në vendin e punës. Ky dokument synon të jetë një udhërrëfyes praktik në mbështetje të ngritjes dhe funksionimit të Grupeve të Kolegëve. Përmbajtja e tij është përgjigja me shpjegime dhe shembuj nga praktika e Grupeve të Kolegëve në Qendrat Shëndetësore në qarqet Dibër, Fier, Tiranë dhe Durrës të pyetjeve më të shpeshta lidhur me hapat që duhen ndjekur deri në mbylljen me sukses të një cikli takimesh për një GK. Megjithëse Udhëzuesi dhe shembujt e tij i referohen praktikës së kujdesit shëndetësor parësor, Grupi i Kolegëve mund të zbatohet edhe nga profesionistët e kujdesit spitalor. Udhëzuesi synon të ndihmojë konsolidimin e GK në qarkun Dibër, Fier dhe përtej dhe të jetë një udhërrëfyes për zbatimin e kësaj eksperience nga profesionistë shëndetësorë në shkallë kombëtare.

 

*Numri i GK aktive deri në 31.01.2021