Vizitë në terren e pedagogëve të FSHMT

Në Shqipëri, derimë tani nuk është përgatitur dhe as zbatuar një program masteri profesional në infermierinë familjare. Ekziston një nevojë e shprehur për ngritjen e një programi të tillë, me qëllim përmirësimin e formimit të kësaj kategorie profesionale, që do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat në rritje të një popullsie në plakje. Ndaj, një prej fushave të aktitiveteve të fazës së dytë të HAP është ngritja e një Masteri Profesional në Infermierinë Familjare i cili do të ofrohet në vijim të bashkëpunimit me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike (FSHMT) në Universitetin e Mjekësisë.

Në këtë kuadër, 8 pedagoge infermiere dhe zëvendës-dekania e FSHMT  vizituan, në datat 3 dhe 6 shtator, qendrat shëndetësore dhe ambulancat në Patos, Grizë dhe Kuman (qarku Fier) dhe Burrel e Komsi (qarku Dibër). Gjatë vizitës, pedagoget vëzhguan punën e infermiereve dhe më pas diskutuan mbi rolet e ndryshme, pritshmëritë dhe detyrat e infermiereve. Synimi i vizitës ishte që pedagoget të njihen më nga afër me realitetin e përditshëm të infermiereve dhe përshtatjen e mësimdhënies me praktikën e punës.