Buletini Nr. 4 “Kujdesi shëndetësor parësor përballë COVID-19”

Mbështetje për përballimin e COVID-19

Një kontribut i ri prej 700,000 USD nga tre donatorë ndërkombëtarë i shtohet 54 respiratorëve të siguruar tashmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.   Një marrëveshje e përbashkët partneriteti u nënshkrua virtualisht më 10 prill 2020 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP).  Marrëveshja thekson mbështetjen ndaj autoriteteve të shëndetësisë në Shqipëri për të luftuar COVID-19 përmes blerjes së 30 respiratorëve. Ky kontribut plotëson angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm të  makinerive jetë-shpëtuese për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në terapi intensive. Kontributi prej 330,000 USD i Ambasadës së Zvicrës u realizua përmes projekti “Shendet për të Gjithë”. Më shumë klikoni këtu

Zgjerohet harta e COVID-19 në qarkun Fier

Gjatë kësaj jave në qarkun e Fierit ka pasur raste të reja infektimi me COVID-19, ndër të cilët edhe personel shëndetësor i kujdesit parësor. Që prej fillimit të pandemisë, në këtë qark janë identifikuar gjithsej 42 raste ndër të cilët 23 janë shëruar (deri më 16 prill 2020).

Konsulta telefonike të mjekëve të familjes

Në vijim të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, mjekët e familjes në të dy qarqet ku punon HAP, po kryejnë konsulta telefonike me rastet e konfirmuara/dyshuara me COVID- 19 të cilët janë izoluar në shtëpi si dhe për të sëmurët kronikë e rastet akute. Shihni videon

Materiale trajnuese për ekipet e KSHP-së

Në faqen kuadër të materialeve trajnuese për ekipet e kujdesit shëndetësor parësor, HAP ka publikuar edhe formatet video ku prezantimet shpjegohen në mënyrë narrative. HAP po vijon punën për përgatitjen e materialeve të tjera në përgjigje të kërkesave të ardhura nga drejtuesit e qendrave shëndetësore të qarkut Fier dhe Dibër. Vizitoni: http://www.hap.org.al/per-profesionistet-shendetesore/

Përshtatja e shërbimeve të KSHP-së: dëshmi të profesionistëve

Patosi ishte qyteti i parë në rajonin e Fierit ku u shfaqen rastet me COVID-19. Pas masave të  marra  nga pushteti  lokal  dhe  punës  së  qendrës  shëndetësore, në Patos  nuk ka patur raste të reja që prej disa javësh.

Dr. Albiona Lamaj, Mjeke familje dhe Drejtoreshë e QSH Patos na tregon se si është ri- organizuar shërbimi në këtë qendër shëndetësore përmes konsultave telefonike dhe planifikimit të vizitave*, duke respektuar mosgrumbullimin dhe distancën sociale për konsultat e pashmangshme në ambjentet e QSH, me

qëllim parandalimin e infektimit nga coronavirusi:

“Hartuam një rregullore të brendshme sipas së cilës mjekët lëshonin recetat e të sëmurëve kronikë 1-2 ditë përpara datës dhe shpërndanin kodet e recetës

përmes  telefonit. Në rastet  e familjeve ,ku jetojnë vetëm të moshuar, bashkëpunuam me bashkinë  për  të  bërë  të mundur dorëzimin e barnave në shtëpi. Lidhur me rastet akute, u munduam që shumë prej konsultave t’i kryenim

përmes telefonit. Në rastet e pacientëve që duhet të vinin patjetër në qendër, përgatitëm një dhomë tek pjesa e urgjencës dhe çdo mjek viziton pacientin e vet tek kjo dhomë. Pas largimit të pacientit, dhoma dezinfektohet. Përsa i përket konsultorit të fëmijëve, vaksinimet nuk u anulluan asnjë ditë. Kemi lajmëruar nënat që të vijnë pas orës 10.30 dhe fëmijët kanë qenë të shoqëruar vetëm me një familjar dhe vaksinoheshin sipas rradhës. Dua  të theksoj që  nëse  më  parë  e  kemi  konsideruar si të pamundur planifikimin e vizitave, kjo përvojë na ka treguar që planifikimi është i realizueshëm dhe kërkon vetëm një vullnet të mirë. Në këtë siuatë të jashtëzakonshme ku ndodhemi, ne pamë që planifikimi i vizitave na mbron si ne ashtu edhe pacientët dhe është shumë i domosdoshëm veçanërisht për pjesën e konsultorit të fëmijëve dhe të sëmurëve kronikë.”

___________

*Më herët, HAP ka promovuar rëndësinë dhe ka nxitur ekipet e kujdesit shëndetësor parësor për zbatimin e planifikimit të vizitave i cili ka ndikim direkt në cilësinë e konsultës mjekësore që ofrohet në ambjentet e qendrës shëndetësore. HAP ka ndarë me menaxherët e QSH-ve eksperiencën e planifikimit të vizitave në KSHP në Bosnjë, në vijim të një vizitë studimore të një grupi mjekësh familje dhe infermjerësh në maj 2018.