Miratohet strategjia e KSHP në Shqipëri

Në Shqipëri, pjesa dërrmuese e kontakteve që popullsia ka me sistemin shëndetësor realizohen në nivelin e Qendrave Shëndetësore dhe shumë probleme shëndetësore trajtohen nga mjekët e përgjithshëm ose edhe infermierët në strukturat e kujdesit shëndetësor parësor. Pavarësisht kësaj, ndryshimet demografike dhe epidemiologjike, pritshmëritë gjithnjë në rritje ndaj kujdesit shëndetësor, së bashku me rreziqet e larta të shtimit të pabarazive, kërkojnë më shumë mbështetje, përshtatje dhe reforma në kujdesin shëndetësor parësor. Në këtë kuadër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bashkë me partnerët e saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë, hartuan “Strategjinë e Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor 2020-2025’ e cila u miratua nga Këshilli i Ministrave më 20 maj 2020. Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes Projektit Shëndet për të Gjithë, mbështeti teknikisht hartimin e strategjisë përmes angazhimit të ekspertëve të huaj si dhe mundësoi mbështetjen e nevojshme teknike për grupin e punës, përgjatë të gjithë procesit të hartimit.

Strategjia përcakton rrugën e përgatitjes së sistemit të kujdesit shëndetësor parësor që do të adresojë në mënyrë më të mirë dhe efikase nevojat shëndetësore e të gjitha komuniteteve dhe kategorive të popullatave. Akses më i mirë i komuniteteve vulnerabël në shërbimet e kujdesit shëndetësor do të arrihet nëpërmjet një integrimi më të mirë horizontal të profesionistëve  të ndryshëm të specializuar, që punojnë në nivel komuniteti, si dhe integrimi vertikal (vijueshmëria e kujdesit midis KSHP dhe spitalit/specialiteteve të tjera të fushës). Sipas saj, do të krijohen modele të reja shërbimesh për të mbuluar nevojat më urgjente që janë identifikuar në nivel komuniteti, të tilla si parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve jo të trasmetueshme (SJT), shërbimi i kujdesit në familje për të moshuarit, modelet e kujdesit përmes teknologjisë digjitale, veçanërisht në zonat e thella, etj.

Shëndetësia është një prej fushave të mbështetjes që ofron Zvicra sic specifikohet në Strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri 2018-2021. Në këtë kuadër, qëllimi kryesor është një popullsi e mirë-informuar dhe e angazhuar në shëndetësi e cila përfiton nga shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor parësor. Sikurse thuhet në strategji, mbështetja e Zvicrës për systemin shëndetësor shqiptar është rreth 12 Milion franga zvicerane (2018-2021) duke u renditur në këtë mënyrë ndër partnerët kryesorë ndërkombëtar në fushën e shëndetësisë. Në këtë kuadër, është e rëndësishmë të theksohet që ndërhyrjet e SDC/HAP gjatë fazës së dytë janë në një linjë me aktivitetet kryesore të planifikuara në Strategjinë për Zhvillimin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri.