Inaugurimi i masterit profesional në Infermieri Familje

Më 7 mars 2022 u zhvillua ceremonia e inaugurimit të programit të ri master profesional në Infermieri Familje në të cilën morën pjesë Ministja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Adrian Maître, Rektori i Universitetit të Mjekësisë Arben Gjata, Dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike Ilirjana Zekja, stafi pedagogjik dhe studentë të FSHMT.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Adrian Maitre vlerësoi në mënyrë të vecantë aspektin praktik të masterit: “Për qasjen dhe objektivat e qeverisë së Zvicrës është shumë thelbësor është fakti që studentët do të përfitojnë përmes punës praktike, përmes praktikave profesionale në 10 QSH të KSHP si edhe në laboratorin e simulimit në fakultet”.

Masteri, i cili ofrohet për herë të parë në Shqipëri nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, është hartuar për të plotësuar profilin e ri të infermierit të familjes, si domosdoshmëri, për t’ju përgjigjur nevojës në rritje për shërbim të kualifikuar në banesë, trajtimit të sëmundjeve kronike jo-të transmetueshme dhe prirjes për plakjen e popullatës. Programi synon të formojë personel infermieror të kualifikuar, që të ofrojnë cilësinë më të lartë të kujdesit për pacientët, familjen e tyre dhe komunitetin. Studentët do të përfitojnë nga kurrikula dhe programe të reja të cilat janë të bashkërenduara me programet e universitetit të Leuven-it (Belgjikë) dhe Bazelit (Zvicër).