Komiteti Drejtues I HAP aprovon planin e punës për 2017-02-03

Komiteti Drejtues i Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) e mirëpriti progresin e bërë nga projekti përgjatë periudhën janar-dhjetor 2016 dhe mbështeti programin e punës për vitin 2017.

Anëtarët e Komitetit Drejtues u takuan në Tiranë më 31 janar, 2017, nën drejtimin e Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Ambasadorit të Zvicrës Christoph Graf, për të shqyrtuar zbatimin e planit të punës për vitin e shkuar dhe planin e punës për vitin e ardhshëm.

Mes rezultateve të arritura në 2016 spikasin:

  • 223 mjekë familje në qarqet Dibër dhe Fier janë pajisur me çantat e doktorit;
  • Qendra Kombëtare për Edukimin në Vazhdim për profesionistët e shëndetësisë (QKEV) ka njohur zyrtarisht Takimet e Grupeve të Kolegëve si qasje e re për edukimin në vazhdim;
  • 112 mjekë familje në të dyja qarqet kanë mbledhur kreditet e nevojshme për ricertifikim nëpërmjet Takimeve të Grupeve të Kolegëve;
  • 39, nga 55, ekonomistë të qendrave shëndetësore në Dibër dhe Fier janë trajnuar për buxhetim, financim dhe ekonomi shëndetësore;
  • Gati 30% e popullatës së synuar, në të dyja qarqet, janë informuar për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të patransmetueshme nëpërmjet seancave edukative shëndetësore;

Progres raporti për 2016 dhe plani i punës për 2017 u prezantuan nga menaxheri i projektit HAP, Dr. Joao Costa, dhe u mbështet nga anëtarët e Komitetit Drejtues. Nevoja për t’i renditur aktivitetet dhe arritjet e projektit në një linjë e Planin e Veprimit për Promocionin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me aprovimin e tij, dhe rritja e vizibilitetit të projektit ishin dy prej rekomandimeve që dolën nga ky takim.

Komiteti gjithashtu përshëndeti punën e  mirë të ekipit për zbatimin me sukses të aktiviteteve të projektit.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të aktorëve kyç në sektorin e shëndetësisë, si Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Ministrinë e Shëndetësise, Instituti i Shëndetit Publik; Departamenti i Shëndetit Publik te Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti I Mjekësisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, kryetarët e bashkive Mallakastër dhe Bulqizë, OJQ lokale, si Active Roma dhe Lidhja e Gazetarëve të Shëndetësisë, si dhe donatorët, të përfaqësuar nga ambasador zviceran, z. Graf, dhe znj. Debora Kern dhe z. Sokol Haxhiu nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim