Që prej datës 1 prill 2019 Projekti Shëndet për të Gjithë ka hyrë në fazën e tij të dytë (HAP-2) i financuar nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatuar nga Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH) nëpërmjet Qendrës HAP.

Për të planifikuar aktivitetet dhe prioritetet për periudhën prill 2019-mars 2020, HAP organizoi Seminarin e Hartimit të Planit Vjetor me pjesëmarrjen e titullarëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës Zvicerane dhe përfaqësues të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Institutit të Shëndetit Publik, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, njësive vendore të shërbimeve të kujdesit shëndetësor, Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetit, universiteteve dhe OJF-ve që operojnë në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Mira Rakacolli vlerësoi kontributin e Projektit Shëndet për të Gjithë në ndryshimin pozitiv të indikatorëve të kujdesit shëndetësor parësor në dy qarqet ku ka operuar gjatë fazës së parë dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën teknike dhe financiare që qeveria zvicerane i ka dhënë asaj shqiptare përmes HAP.

Gjatë seminarit të planifikimit, pjesëmarrësit diskutuan në terma konkrete aktivitetet kryesore gjatë vitit të parë të HAP-2 të cilat do të kontribuojnë në harmonizimin e rezultateve të pritshme dhe të linjave kryesore të aktiviteteve të projektit, me prioritetet e dokumentave strategjike të reformës së shëndetësisë në Shqipëri.