Zhvillimet për përdorimin e protokolleve të rishikuara për SJT-të

Projekti Shëndet për të Gjithë ka mbështetur rishikimin e protokolleve për trajtimin e 5 sëmundjeve më të shpeshta në KSHP: diabeti, hipertensioni, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, dislipidemitë dhe astma. Protokollet, udhëzuesit përkatës klinikë dhe manualet e trajnimit janë vënë në dispozicion të gjithë QSH-ve në qarqet Dibër dhe Fier  ku po pilotohen me synimin për tu shtrirë në nivel kombëtar.

Për të facilituar përdorimin e tyre, HAP ka organizuar 30 trajnime për trajnerë ku kanë marrë pjesë 116 mjekë familje dhe 171 infermierë nga të dy qarqet të cilët kanë vlerësuar së tepërmi njohuritë praktike të përfituara. Aktualisht, në këto qendra po ngrihen edhe Grupet e Kolegëve si një mjet i Edukimit në Vazhdim përmes të cilit anëtarët e secilës QSH do të aftësohen në përdorimin e protokolleve.

Gjithashtu, HAP zhvilloi një takim konsultues me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor lidhur me përditësimin e listë-kontrolleve të udhëzuesve ekzistues për supervizimin në KSHP të zbatimit të protokolleve të mjekimit për sëmundjet jo të transmetueshme. Gjatë takimit u diskutua dhe u punua nga grupet teknike përkatëse për përditësimin e listë-kontrolleve ekzistuese me treguesit e monitorimit të zbatimit të protokolleve të mjekimit. Në vijimësi, HAP do të ndjekë nga afër finalizimin e listë-kontrolleve të përditësura nga FSDKSH dhe OSHKSH si dhe do të ofrojë trajnimin e kapaciteteve të secilit institucion lidhur me monitorimin e zbatimit të protokolleve të mjekimit për SJT-të në qarkun Fier dhe Dibër.