Përshtypje të pjesëmarrësve në Shkollën Zvicerane të Shëndetit Publik 2020

Gjatë kursit mësuam se si të fokusohemi te sjelljet e përdoruesve të QSH-së, si mund ti ndryshonim këto sjellje për të arritur qëllimin e kërkuar dhe si mund të na ndihmonte angazhimi i palëve të interesit (pacienti, familja, komuniteti, shkolla, pushteti lokal etj) në arritjen e këtij qëllimi. Gjatë praktikës së punës të përditshme si mjek familje, krahas rasteve akute, kemi edhe shumë raste me sëmundje kronike ku rol të rëndësishëm si faktorë luajnë duhani, ushqyerja, aktiviteti fizik. Këto mund të behen tema promovimi, edukimi shëndetësor që mund të ndryshojnë sjelljet e pacienteve duke iu dhënë mundësinë për të bërë një jetë të shëndetshme. – Dr. Elsida Kalemi, QSH Patos, Pjesëmarrëse në kursin “Gjenerimi i kërkesës për shërbime më të mira të shëndetit publik”.

Kursi ishte shumë efektiv sidomos për këtë kohë pandemie ku distancimi fizik është shumë i rëndësishëm. Mësova se si me anë të një simulimi unë mund të llogaris numrin e pacientëve që kam, sa pacientë vijnë në ditë, sa është numri i lejuar që duhet të futen, koha kur futet pacienti i parë, kohëzgjatja e vizitës ndërkohë që pacienti i dytë pret në radhë etj. Në këtë mënyrë, mund të bëj një organizim më të mirë të vizitave.- Dr.Ermelinda Imeraj, QSH Patos, Pjesëmarrëse në kursin “Analizë e sistemeve & Politika Shëndetësore, Ekonomiks dhe Vendime Menaxheriale. Vendimarrja e bazuar tek te dhënat.”

Ndjekja e këtij kursi ishte i dobishëm për mua si Infermiere dhe Koordinatore e cilësisë në QSH Patos sepse një ndër profesionistet brenda sistemit të kujdesit shëndetësor që mund dhe duhet të ketë ndikim më të madh në parandalimin dhe kontrollin e SJT-ve është Infermieri. Mendoj se tashmë me njohuritë e reja të marra gjatë këtij kursi, programi për parandalimin dhe kontrollin e hipertensionit dhe diabetit të hartuar nga QSH Patos me mbështetjen e Projektit HAP do të marrë fokusin kryesor në qendrën tonë duke forcuar kështu rolin e infermierit në parandalimin dhe kontrollin e SJT-ve.- Eriselda Marko, Infermiere, QSH Patos, Pjesëmarrëse në kursin “Kontrolli i SJT-ve në një perspektivë globale të shëndetit: Shëndeti Publik dhe qasjet e forcimit të sistemeve”.

Mësuam se si të identifikojmë audiencën, ti japim përparësinë e duhur dhe të dallojmë grupet për të adresuar. Gjithashtu, kuptuam rëndësinë e kërkimit edukues dhe se sicla metodë kërkimi duhet përdorur për të identifikuar tregues të caktuar të sjelljes dhe se si të zhvillojmë pyetjet e duhura.- Erisa Luzi, Instituti i Shëndetit Publik, Pjesëmarrëse në kursin “Gjenerimi i kërkesës për shërbime më të mira të shëndetit publik”.

Ky kurs ishte shumë i rëndësishëm pasi gjatë periudhës së pandemisë është vënë re një rritje e ndjeshme e përdorimit të alkoolit dhe substancave narkotike. Diskutuam se cilat janë politikat që janë ndëmarrë si dhe masat që mund të merren për këtë problem. U diskutua gjithashtu impakti i pandemisë tek fëmijët, të cilët janë një nga shtresat më të prekura. –Dr. Joana Prifti, QSH Libofshë, Pjesëmarrëse në kursin “Politikat opsionale për shëndetin mendor”

Si ekonomiste zgjodha këtë kurs për të mësuar më tepër mbi menaxhimin e ekonomisë për të  përballuar një situatë krize si kjo me të cilën po përballet vendi aktualisht, objektivat dhe prioritetet si edhe politikat që duhen ndjekur duke marrë si shembull vende të ndryshme. Programi i kësaj shkolle na e  krijoji këtë mundesi për të ndjekur  leksione plenare të vlefshme dhe gjithë përfshirëse. Specifikisht tema në lidhje me mirëmenaxhimin e spitaleve na ndihmoi me zgjerimin e dijeve për kriteret e vlerësimit edhe shumë pika të tjera të cilat ne i hasim në përditshmëri në punën tonë në institucionn e DROSHKSH Vlorë. – Anxhela Shenaj, DROSHKSH Vlorë, Pjesëmarrëse në kursin “Ekonomi shëndeti dhe COVID-19”

Kjo esperiencë ka një vlerë shumë të rëndësishme për mua si psikologe klinike në planin profesional pasi më ndihmon në detyrat brenda në sekorin e shëndetit publik pranë DROSHKSH duke përmirësuar  specifikisht strategjitë dhe politikat e shëndetit mendor në institucionet tona të varësisë sic është : Spitali Psikiatrik “Ali Mihali Vlorë”, Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor dhe strukturat e shtëpive të mbështetura.  Gjithashtu edhe në planin personal ka një vlerë po kaq të madhe sepse zhvilloj më tepër njohuritë, përforcoj mendimin kritik dhe zgjeroj kontakte me profesionistë të rinj të cilët punojnë dhe  japin kontributin e tyre  mbi shëndetin mendor në vende të ndryshme të botës.- Ina Islamaj, DROSHKSH Vlorë, Pjesëmarrëse në kursin “Politikat opsionale për shëndetin mendor”

Në fund të kursit, fitova njohuri të dobishme rreth çështjeve të ndryshme që duhet të ndiqen për të zbatuar një qasje gjithëpërfshirëse (p.sh. intersektoriale, multisektoriale, Shëndeti në të gjitha politikat) dhe rëndësinë që kanë në hartimin e politikave dhe në zbatimin e tyre. Kam mësuar shumë gjëra mbi paradigmën e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 dhe përcaktuesit socialë të shëndetit, barazitë në shëndetësi dhe lidhjet mes tyre. Kam një kuptueshmëri më të mirë se si veprimet e bashkë-renduara mund të përmirësojnë shëndetin dhe cështjet e barazisë përmes adresimit të përcaktuesve shëndetësore.- Petrit Dollani, Fakulteti i Ekonomisë, Pjesëmarrës në kursin “Qasjet Bashkë-renduese për Shëndetin: politika dhe praktika”.

Duke qenë se jam pjesë e grupit të punës për formimin e kurrikulës së Masterit “Infermieria në Familje”, dhe konkretisht bashkëpërgjegjëse për lëndën: “Menaxhimi i Sëmundjeve Kronike”, besoj se ky kurs ishte  shumë i vlefshëm sepse qëllimi i tij ishte të jepte udhëzime në lidhje me strategjitë e shëndetit publik për të frenuar SJT-të dhe ndryshimet e nevojshme në sistemin e kujdesit shëndetësor, në lidhje me ndërhyrjet më kosto-efektive dhe të përballueshme.- Miranda Cela, FSHMT, Pjesëmarrëse në kursin “Kontrolli i SJT-ve në një perspektivë globale të shëndetit: Shëndeti Publik dhe qasjet e forcimit të sistemeve”.

Informacioni që ne morrëm nga ky kurs është mjaft i dobishëm për vendin ku punojmë, në mënyrë që edhe ne ta përcjellim te studentët e FSHMT–së rëndësinë e këtyre SJT-ve parandalimin dhe kapjen në kohë të tyre nëpërmjet informacionit adekuat. Gjithashtu një vëmendje të madhe duhet ti kushtohet edhe përforcimit të rolit infermieror në shërbimin parësor, i cili është kontakti i parë dhe më i shpeshtë për pacientin, familjen, komunitetin ,ku trajnimet e vazhdueshme do të ishin celësi i suksesit i parandalimit, diagnostikimit të sëmundjeve dhe një trajtim sa më efikas duke rritur cilësinë e shërbimit dhe duke sjellë si rezultat pacient të ndërgjegjësuar për rëndësinë që kanë këto sëmundje dhe pacientë të kënaqur nga shërbimi shëndetësor.- Albana Poloska, FSHMT, Pjesëmarrëse në kursin “Kontrolli i SJT-ve në një perspektivë globale të shëndetit: Shëndeti Publik dhe qasjet e forcimit të sistemeve”.