Për rreth 10,000 banorë të zonës së Libofshës shërbimet shëndetësore marrin përmirësim të dukshëm: përmes një projekti të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) qendra shëndetësore është rehabilituar plotësisht dhe tashmë ofron shërbim 24 orësh.

Qendra shëndetësore e Libofshës në Fier, u përurua sot nga Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Christoph Graf, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, drejtuesi i projektit “Shëndet Për të Gjithë” Dr. Besim Nuri si dhe përfaqësues vendorë.

“Infrastruktura e mirë dhe investimi në pajisje janë të nevojshme për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Por ky është vetëm fillimi. Faktorët e tjerë për një kujdes shëndetësor cilësor janë trajnimet, njohuritë dhe motivimi i mijëra njerëzve që punojnë si profesionistë të shëndetësisë.” tha Ambasadori zviceran Christoph Graf. Ai përmendi faktin se këtë vit projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ do të ketë më shumë investime në qendra shëndetësore, kryesisht në zona rurale.

“Qendra e rehabilituar e Libofshës garanton sot shërbim me standarde, afër vendbanimit për 10 mijë banorët e kësaj zone. Ky është një model i qendrave shëndetësore që duam të shtrijmë në të gjithë vendin me programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në 4 vite. Model i integruar i rehabilitimit të infrastrukturës, pajisjes së mjekëve dhe infermierëve me çantat që përmbajnë pajisjet e nevojshme si dhe trajnimi i tyre”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj

 

Drejtuesi i projektit “Shëndet Për të Gjithë” dr. Besim Nuri gjatë fjalës së tij falënderoi stafin e qendrës shëndetësore Libofshë për punën e tyre, drejtuesit e kujdesit shëndetësor parësor dhe autoritetet lokale në qarkun Fier dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për bashkëpunimin e ngushtë, dhe Ambasadën Zvicerane për mbështetjen e dhënë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri.

Rikonstruktimi i qendrës nisi nga godina ku u bë nga e para çatia, sistemet elektrike, instalimet hidro-sanitare, dyert, dritaret, kanalizimi, mobilimi si dhe shenjat treguese. Qendra mbulon 10 fshatra dhe ka një staf prej 4 mjekë familje, 22 infermiere dhe një teknik laboratori.

Vizitorët panë gjithashtu në praktikë përdorimin e “çantës së doktorit” me të cilat janë pajisur mjekët dhe që përmban instrumentet bazë të shërbimit mjekësor, si stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, glukometër, çekiç neurologjik, dhe stetoskop fetal. Projekti gjithashtu trajnon mjekët dhe infermierët dhe i ka angazhuar ata në grupe/forume ku shkëmbehet informacion profesional.

Projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ ka trajnuar ekipin e mjekëve dhe infermierëve të qendrës për menaxhimin e rasteve akute shëndetësore, të përdorimin e kompjuterëve, e-mailit, dhe internetit, si dhe ka trajnuar drejtorin e Qendrës mbi menaxhimin shëndetësor dhe ekonomistin mbi financat shëndetësore, buxhetimin dhe prokurimet.

Qendra shëndetësore e Libofshës është pajisur edhe me materiale informuese dhe edukuese mbi tensionin e lartë, diabetin, ushqimin e shëndetshëm, aktivitetin fizik, etj. Gjithashtu projekti ka siguruar laptop-ë për tre mjekë të qendrës.

Gjatë viteve të fundit sektori i shëndetësisë ka marrë një mbështetje në rritje nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).