Këndet e transparencës, një urë e re komunikimi mes qytetarëve dhe shërbimeve shëndetësore

Qytetarët që shërbehen nga tetëdhjetetetë qendrat shëndetësore në Dibër dhe Fier tani kanë një informacion më shumë mbi të drejtat e tyre dhe se ku mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre në lidhje me shërbimin shëndetësor parësor. “Këndet e transparencës” prej kohësh të pranishme në të gjitha spitalet e vendit dhe tani, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) ato janë të instaluara edhe në 88 qendrat shëndetësore të Dibrës dhe Fierit. Këndet përmbajnë dy postera, një për të drejtat e pacientëve dhe një për ndërgjegjësimin për efektet negative të korrupsionit, një pyetësor për cilësinë e shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor dhe një kuti transparente, ku pacientët depozitojnë pyetësorët. Këndet synojnë të rrisin transparencën dhe të përmirësojnë shkëmbimin e informacionit midis pacientëve dhe ofruesve të shërbimit shëndetësor parësor, gjë që do të përmirësonte vet shërbimin që qytetarët marrin dhe, në terma afatgjatë, do të mundësonte një shëndet më të mirë për komunitetin.