HAP mundëson 15 instrumente mjekësore për 1129 infermierë familje

HAP mundëson 15 instrumente mjekësore për 1129 infermierë familje

Gjatë muajve tetor, nëntor 2018, Projekti Shëndet për të Gjithë shpërndau “çantat e infermieres” tek 1129 infermiere në qendrat shëndetësore në qarkun e Dibrës dhe Fierit në sajë të një investimi prej 238’689 Euro.

Çanta e infermieres përmban 15 instrumente të ndryshme mjekësore të cilat do të përdoren nga të gjitha infermieret në praktikën e tyre të përditshme çfarë do të çojë në përmirësimin e cilësisë së kujdesit infermieror në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor. Këto mjete do t’i ndihmojnë infermieret që të kryejnë një vizitë infermierore të plotë dhe të shpejtë nga koka te këmbët në qendër shëndetësore dhe në vizitat në shtëpi çka mund tu shpëtojë jetën pacientëve në situata urgjente. Gjithashtu, këto mjete do tu mundësojnë infermiereve që të kontrollojnë dhe të këshillojnë më mirë pacientët për sëmundjet kronike dhe parandalimin e tyre.

Çanta e infermieres përmban 15 mjetet e mëposhtme:

Metër për matjen e cirkumferencave tek i porsalinduri Kalkulatori i indeksit të masës trupore Puls-oksimetër Otoskop
Stetoskop dopler Aparat tensioni (mansheta për fëmijë, të rritur dhe për kofshë + stetoskop) Aparat lavazhi veshi Lak hemostatik
Stetoskop obstetrikal Termometër digital Dritë xhepi Gërshërë të zakonshme
Termometër me zhivë Kalendar obstetrikal Stetoskop

Procesi i shpërndarjes u parapri nga trajnimi i 14 infermiereve i cili u zhvillua në Tiranë në 16 tetor. Të 14 infermieret e trajnuara nga qarku i Dibrës dhe Fierit instruktuan koleget e tyre gjatë procesit të demostrimit dhe dorëzimit të çantave tek infermieret e çdo qendre shëndetësore të kujdesit parësor. Gjatë këtyre sesioneve, infermieret u  instruktuan për përdorimin e pajisjeve dhe mirëmbajtjen e tyre.. Për aftësimin e mëtejshëm të infermjereve në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve është hartuar një manual përdorimi i mjeteve në praktikën e përditshme. Ky Manual  do tu shpërndahet infermiereve gjatë trajnimeve për “përdorimin e çantës” në vendin e punës përmes Grupeve të Kolegëve me infermjerë (një mjet i Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor). Procesi i shpërndarjes u mbyll me sukses në mesin e nëntorit 2018 në qarkun e Dibrës dhe Fierit.