Stafi dhe partnerë të HAP prezantojnë punimet e tyre në konferencën ndërkombëtare të Shëndetit Publik

Instituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen e Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP), organizoi më 9 maj Konferencën e 9-të Ndërkombëtare të Shëndetit Public, me focus përcaktorët e sjelljeve të lidhura me shëndetin dhe sëmundjet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës.

Specialist nga organizata shëndetësore kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshi përfaqësues nga HAP, ofruan gjetje dhe përfundime të punimeve të tyre në fushën e shëndetit public. Dr. Ehadu Mersini, zv.menaxhere e projektit dhe oficere e Edukimit Mjekësor në Vazhdim pranë HAP, prezantoi gjetjet e hulumtimit për njohuritë, sjelljet dhe praktikat mbi gjendjet shëndetësore kronike. Rezultatet e këtij hulumtimi tregonin se ndërsa njohuritë e popullatës për sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin ishin në nivele të kënaqshme, ka ende nevojë për më shumë njohuri specifike mbi diabetin dhe obesitetin.

Oficeri i promocionit shëndetësor pranë HAP, Dr. Ilir Topi, prezantoi rezultate premtuese të trajnimeve për promocionin shëndetsor me pjesëmarrjen e komunitetit. Dr. Topi theksoi se adaptimi nga ana e të trajnuarve e qasjeve pjesëmarrëse çon në forcimin e profilit teknik të specialistit, promovon integrimin e promocionit shëndetësor në kushtet e kujdesit shëndetësor parësor dhe mbush boshllëqet në kapacitetet e ofruesve të kujdesit shëndetësor.

Rezarta Bojaxhi, vullnetare me HAP, ofroi gjetje interesante në lidhje me njohuritë, qëndrimet dhe praktikat e stafit të kujdesit shëndetësor në qarkun Fier për talaseminë. Rezultatet e prezantuara nga ajo dëshmonin se nevojitet ndihma e HAP në forcimin e kapaciteteve të ofruesve të kujdesit shëndetësor parësor, për të plotësuar boshlliqet në edukimin shëndetësor për talaseminë.

Veçantia e kësaj konference ishte dhe pjesëmarrja e tri mjekeve të familjes nga qarku Fier: Dr. Majlinda Tafaj (Kurjan QSH), Dr. Irma Seitaj (Roskovec QSH) dhe Dr. Blerina Buzi (Kuman QSH). Tri mjeket, të cilat janë drejtuese të qendrave shëndetësore përkatëse, prezantuan gjetjet e  një ndjekje dy-vjeçare të sëmundjeve kronike me rezultatet e programit të kontrollit mjekësor bazë në qendrat e tyre shëndetësore. Puna e tyre nxorri në pah domosdoshmërinë për ndjekjen e pacientëve dhe nevojën për ndërhyrje më sistematike për identifikimin e pacientëve, në mënyrë që të evitohet përkeqësimi i gjendjes së tyre.