Fushata PërSHËNDETje: një qasje praktike e promovimit të shëndetit

Gjatë muajit nëntor, fushata PërSHËNDETje ndaloi në 13 zona në qarkun Dibër. Që prej fazës së saj fillestare në qershor të këtij viti, fushata PërSHËNDETje është zbatuar në 27 zona.

Sëmundjet kronike jo-infektive (sëmundjet e zemrës, diabeti, kanceri, sëmundjet kronike të aparatit frymëmarrës) janë vrasësi kryesor në Shqipëri si dhe shkaktari kryesor i paaftësisë. Në këtë kuadër, Projekti Shëndet për të Gjithë prezantoi këtë qasje innovative të promocionit shëndetësor e cila ka dy qëllime kryesore: 1) përmirësimin e njohurive të anëtarëve të komunitetit lidhur me sëmundjet kronike jo-infektive dhe nxitja për ti parandaluar ato përmes reduktimit të faktorëve te riskut, ndryshimin e sjelljes dhe shtimin e kontrolleve dhe trajtimit në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor; 2) përfshirjen dhe fuqizimin e stafit mjekësor, në mënyrë të veçantë të personelit infermieror në qendrat shëndetësore,  për të ofruar mbështetje për komunitetin për reduktimin e rreziqeve të sëmundjeve kronike jo-infektive.

Metodologjia e fushatës PërSHËNDETje është përshtatur për kontekstin shqiptar nga ekspertët e Institutit Zviceran të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale të cilët kanë ofruar ekspertizën e tyre dhe asistencën teknike. Fushata u zbatua nga një konsorcium i 3 organizatave shqiptare (Aksion Plus; Qendra Epoka e Re dhe Together for Life) nën monitorimin e Projektit HAP.

Gjatë aktiviteteve u arritën grupet e synuara si adoleshentët, të rinjtë dhe prindërit. Në total, rreth 4000 anëtarë të komunitetit në zonat rurale dhe gjysmë-urbane në qarkun e Dibrës dhe Fierit morën pjesë në 27 ndalesat e fushatës ku mësuan se sëmundjet kronike jo-infektive mund të parandalohen përmes ushqyerjes së shëndetshme, reduktimit të konsumimit të alkoolit, duke mos pirë duhan dhe duke kryer aktivitetit fizik.