Vizita e eksperteve ndërkombëtare në infermieri

HAP po mbështet nismën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe partnerëve të tjerë të sektorit shëndetësor për fuqizimin e rolit të infermierëve në komunitet me qëllim aftësimin e tyre për të përballuar vështirësitë e reja në shëndetësi dhe barrën e sëmundjeve në Shqipëri, sidomos në lidhje me sëmundjet kronike jo-infektive dhe nevojat për kujdes shëndetësor për të moshuarit dhe popullsinë vulnerabël.

Për këtë arsye, Greet van Malderen dhe Mieke Deschodt, eksperte ndërkombëtare në infermieri dhe shëndet publik zhvilluan seminare në Tiranë për të nisur një proces konsultativ për shqyrtimin e rolit aktual dhe detyrat e infermierëve në qendrat shëndetësore (përfshirë ambulancat) dhe potencialin për përditësimin e profileve të infermierëve duke konsideruar specifikat që ka kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri. Në takimet konsultuese me profesionistë shëndetësorë të qendrave shëndetësore nga qarku Dibër dhe Fier dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore në Shqipëri, pjesëmarrësit diskutuan mbi elementët kyç të përditësimit të rolit të infermierëve dhe rrugën që duhet ndjekur për të përparuar në këtë drejtim. Gjatë vizitës, ekspertet zhvilluan gjithashtu takime me pedagogët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike ku prezantuan dhe shkëmbyen mendime lidhur me karakteristikat e programit të ri master në infermierinë familjare dhe planin e punës për ndërtimin e kurrikulave përkatëse.