Buletini nr. 9: “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri përballë COVID-19”

Rikthimi në normalitet në zonat e gjelbërta

  • Që prej ditës së hënë, të dy qarqet ku operon HAP (Fier dhe Dibër) janë zonë e gjelbër çka nënkupton lehtësim të masave të lëvizjes. Si rezultat, banorët po marrin normalisht shërbimet në qendrat shëndetësore duke respektuar masat e parandalimit të infektimit me COVID-19. Në zbatim të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore, qendrat shëndetësore kanë marrë masat për zbatimin e tyre nëpërmjet vendosjes së sinjalistikës lidhur me ruajtjen e distancës, higjenën respiratore dhe krijimin e mundësive për dezinfektimin e duarve dhe të ambjenteve.

Aktualisht, shërbimi në QSH Ballagat ofrohet normalisht. Në sajë të mbështetjes së HAP-it për rregulloren e kontrollit të infeksionit dhe materialet trajnuese për  COVID-19 të publikuara në website-in e HAP-it,  arritëm të  merrnim masat e duhura në përshtatje me kushtet e punës në qendrën tonë shëndetësore. Ndonëse fillimisht ishte sfiduese për pacientët, tashmë ata janë përshtatur me masat kundër infeksionit dhe kanë adaptuar një sjellje të  re  lidhur me ruajtjen e  shëndetit duke zbatuar rregullat e  distancimit fizik, të higjenës personale e të përdorimit të maskave. Në ambjentet e qendrës janë vendosur  postera për  distancim social dhe parandalimin e mbrojtjen ndaj infeksionit nga  COVID-19 si dhe produkte dezinfektuese.”- Dr. Lindita Blliku, Mjeke familje dhe drejtoreshë, QSH Ballagat

Rifillimi i mësimit për maturantët

  • Në të gjitha shkollat e mesme ka ri-filluar mësimi për maturantët. Në zbatim të udhëzuesit të Institutit të Shëndetit Publik për ‘Qëndrimin dhe lëvizjet në shkollë’, NjVKSH-të dhe qendrat shëndetësore kanë angazhuar profesionistë shëndetësorë në çdo shkollë për të siguruar zbatimin e masave të mbrojtjes nga infektimi me COVID-19.

Mbështetja e HAP për ekipet e KSHP-së

  • Gjatë gjithë periudhës së lëvizjeve të kufizura për parandalimin e përhapjes së COVID-19, , HAP ka vijuar të mbështesë qendrat shëndetësore në zbatim të aktiviteteve të planifikuara më herët siç janë ato që lidhen me përmbushjen e kërkesave për akreditimin e QSH-ve nëpërmjet takimeve konsultuese në distancë përmes video-konferencave . Plotësimi i kërkesave të standardit bazik E4 për Kontrollin e Infeksionit në QSH, nëpërmjet hartimit të rregullores përkatëse iu ka ardhur veçanërisht në ndihmë ekipeve të KSHP-së në kushtet e COVID-19. Së fundmi, krahas takimeve përmes video-konferencave, HAP ka filluar që të bëjë takime ballë-për-ballë duke zbatuar masat e mbrojtjes nga infektimi me COVID-19.

Përballja me COVID-19: Bashkëpunimi në nivel lokal

COVID-19 solli sfida të reja për këdo, ndaj nevoja për diskutime mbështetëse dhe bashkëpunim midis institucioneve shëndetesore, por jo vetëm, ishte edhe më e madhe. Në këtë kuadër, bashkëpunimi midis qendrave shëndetësore dhe Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e situatës lokalisht. Në qarkun e Dibrës, biseduam me Z. Hasan Manja, Drejtori i NjVKSH Dibër dhe Dr. Artur Alimanin, Drejtor i QSH Maqellarë.

“”Në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale dhe Institutit të Shëndetit Publik, kemi marrë që në fillim masat për parandalimin e infeksionit me COVID-19, në bashkëpunim të ngushtë me qendrat shëndetësore dhe spitalin e Peshkopisë.- tregon Z. Manja.- Përgjegjësia e parë e përbashkët ishte monitorimi gjendjes shëndetësore të personave që hynin nga pika kufitare e Bllatës sidomos pas rasteve të para me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut. Më pas, kemi punaur ngushtësisht me mjekët dhe infermierët e kujdesit parësor dhe epidemiologët e NJVKSH-Dibër për gjurmimin e rasteve të dyshuara. Jam i lumtur që në bashkinë Dibër, nuk ka pasur deri më sot asnjë rast me COVID-19. Së fundmi, bashkë me qendrat shëndetësore jemi koordinuar për të siguruar infermierë e mjekë në të gjitha shkollat e mesme për të monitoruar respektimin e masave parandaluese gjatë procesit mësimor. Si në cdo sukses, bashkëpunimi është kyçi dhe në rastin tonë bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë me strukturat vendore dhe me qendrat shëndetësore përsa i përket marrjes dhe ndjekjes së  zbatimit të masave parandaluese ndaj COVID-19.”

Dr. Arturi na tregon se si në bashkëpunim me NjVKSH Dibër, organizuan shërbimin me turne të dyta dhe të treta si në qendrën shëndetësore Maqellarë, ashtu edhe në pikën kufitare të Bllatës. “Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë me të gjitha autoritetet vendore përfshirë këtu postën policore të pikës kufitare, sektorët përkatës të emergjencave të Prefekturës dhe të Bashkisë Dibë-thotë ai. Gjithashtu, QSH Maqellarë mbulon disa zona të thella rurale ndaj është për t’u vlerësuar bashkëpunimi me autoritetetet dhe komunitetin që bëri të mundur dorëzimin e barnave në banesë për pacientët kronikë mbi 65 vjeç.”