Buletini nr. 6: “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri përballë COVID-19”

Të reja

HAP bën një vlerësim të nevojave për informacion dhe edukim të vazhduar të profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor duke marrë pyetjet e tyre më të shpeshta dhe temat rreth të cilave lind nevoja për më shumë informacion. Bazuar mbi këtë vlerësim të shpejtë të nevojave, HAP përpunon në vijimësi materiale trajnimi lidhur me COVID-19. Qëllimi kryesor është aftësimi i profesionistëve të kujdesit parësor në parandalimin e përhapjes dhe kontrollin e COVID-19 si dhe në informimin dhe këshillimin motivues të individëve, familjeve dhe komunitetit lidhur me rolin e tyre. Klikoni KETU për të shkarkuar materialet e publikuara deri më tani.

Materiale shpjeguese janë publikuar gjithashtu për publikun e gjerë, klikoni KETU.

Harta e përhapjes së COVID-19 është zgjeruar edhe në qarkun Dibër ku ka një rast të infektuar, asimptomatik në fshatin Batërr e Vogël. Që prej datës 27 prill, qarku Dibër është shpallur zonë e gjelbër çka ka sjellë lehtësim të masave për kufizimin e lëvizjes dhe për rrjedhojë rritje të numrit të vizitave në qendrat shëndetësore

Nënë Bukuria është një infermiere në pension e cila ka punuar për vite të tëra në qendrën shëndetësore të Peshkopisë. Ajo vuan nga shtatë diagnoza të ndryshme të cilat e bëjnë edhe më të rrezikuar ndaj COVID-19 ndaj është e izoluar në shtëpi ku jeton e vetme. Që prej fillimit të epidemisë, ajo po merr edhe më shumë përkujdesjen e ish kolegëve të saj, mjekë dhe infermierë të QSH Peshkopi. Ata e vizitojnë rregullisht për të monitoruar gjendjen e saj shëndetësore dhe i cojnë medikamentet për të cilat ka nevojë. Në këtë video të shkurtër, ajo shpreh mirënjohjen e saj për bluzat e bardha.

Përballja me COVID-19: dëshmi të profesionistëve

Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor anembanë vendit janë gjithashtu në vijën e parë të përballjes me COVID-19 teksa bashkëveprojnë me ekipet e kujdesit shëndetësor parësor në zonën përkatëse dhe Qendrën Kombëtare të Emergjencës për identifikimin e rasteve të infektuara apo dyshuara me COVID-19 dhe marrjen e tamponit. Ne biseduam me Z. Erton Isufaj, Drejtor i NjVKSH Mallakastër i cili na tregon më tepër për organizimin e punës në kushtet e COVID-19.

  1. Z. Isufaj, çfarë mbështetje iu ofroni ekipeve të kujdesit shëndetësor parësor në zonën tuaj?

Bashkëpunimi i NjVKSh Mallakastër me Qendrat Shëndetësore të rrethit është i ngushtë dhe i ndërsjelltë. Janë mjekët e familjes ata që në të shumtën e rasteve hasen të parët me pacientët të dyshuar dhe janë ata që e monitorojnë dhe ndjekin në vazhdimësi gjendjen e pacientëve. Sektori i Epidemiologjisë pranë NjVKSH-së ka kryer trajnime për stafet e QSh-ve në kuadër të njohjes së protokolleve dhe algoritmeve rreth parandalimit të sëmundjes së shkaktuar nga SarS-CoV-2 dhe bashkërendojmë punët për menaxhimin e rasteve të ndryshme. Janë furnizuar të gjitha QSh-të me materialet e nevojshme mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe janë shpërndarë udhëzimet e manualet e duhura për marrjen e masave. Në këtë drejtim, do të doja të falenderoja edhe Projektin Shëndet për të Gjithë për kontributin që po jep në mbështetje të ekipeve të QSH-ve për marrjen dhe zbatimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19.

Si bashkëpunoni konkretisht me ekipet e QSH-ve?

Në zbatim të urdhërit nr. 30 datë 16.03.2020 të Drejtorisë Qëndore të Operatorit “Për triazhimin e pacientëve”, nga mjekët e QSh-ve nëpërmjet telefonit bëhet traizhimi dhe identifikohen ata që dyshohen se janë të infektuar nga SarS-CoV-2. Më pas, sipas “Përkufizimit të rastit dhe Survejancës ndaj COVID-19”, mjekët e familjes referojnë në NjVKSh rastet e dyshuara dhe bëhet vlerësimi klinik/epidemiologjik. NjVKSh-ja është institucioni përgjegjës që kryen marrjen e mostrës nazo-faringeale, nëse sipas vlerësimit të mjekut të familjes, përmbushen kriteret dhe shenjat klinike. Nëse rasti është në gjendje të rënduar dhe duhet të paraqitet apo të shtrohet në spital, mjekët e qendrave shëndetësore duhet të njoftojnë sipas ligjit 15/2016 dhe të kontaktojnë në tel. me NjVKSh-në përkatëse, me mjekun infeksionist dhe Qendrën Kombëtare të Urgjencës/ telefon 127.

Cila është procedura që ndjekin pacientët që kanë simptoma të ngjashme me COVID-19?

Pacientët mund të telefonojnë mjekun e familjes, numrin e Emergjencës Kombëtare 127 ose numrin e gjelbër nëse kanë simptoma të ngjashme me COVID-19 si: kollë të thatë, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, dobësi trupore, djersitje të shtuar, dhimbje fyti, nauze/të vjella, diarre, humbje të nuhatjes dhe të shijes. Ata shprehin ankesat dhe shqetësimet shëndetësore që kanë dhe ekipet mjekësore në secilin rast kryejnë triazhimin dhe vlerësojnë nëse kemi të bëjmë me simptoma të ngjashme me COVID-19 apo me sëmundje të tjera të rrugëve respiratore si grip i zakonshëm, faringit, bronkit, pneumoni jo nga coronavirusi, astma, spok, alergji stinore etj. Nëse mjekët vlerësojnë që pacienti ka nevojë për kryerje testimi, njoftohet në telefon ekipi i epidemiologëve në NjVKSh Mallakastër dhe vlerësohet rasti për të kryer testimin përmes marrjes së mostrës që aktualisht janë tampona nazal dhe nazofaringeal. Tamponi më pas transportohet në laboratorin virologjik në ISHP Tiranë, ku kryhet analizimi i mostrës.

Në rastet kur pacienti paraqitet në gjendje të rënduar shëndetësore, ekipi mjekësor kontakton me Emergjencën Kombëtare 127 për të bërë të mundur transportimin e sigurtë të pacientit në spitalin COVID për trajtim të specializuar. Nëse pacienti kontakton mjekun e familjes, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Shëndetësore 127, këshillohet që të mos drejtohet menjëherë në qendrën shëndetësore apo në spital. Në varësi të gjendjes së tij, këshillohet të qëndrojë në shtëpi për monitorim të përditshëm nga mjeku i tij i Familjes. Nëse gjendja e tij e kërkon, atëherë këshillohet që të presë sa të merren masat për transportimin e sigurtë të tij në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksionit tek të tjerët.

Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur lidhur me COVID-19?

Ndër sfidat do të përmendja kryerjen e diagnozës diferenciale të COVID-19 me sëmundjet e tjera të rrugëve respiratore në konsultimet me telefon të mjekëve të familjes . Fatmirësisht, dita ditës po publikohen të dhëna të reja bazuar në studime shkencore dhe të gjithë mjekët përditësohen dhe ndihmohen nga ana jonë lidhur me kriteret e reja të diagnozës COVID-19. Një tjetër sfidë është parandalimi i transmetimit të infeksionit tek stafi mjekësor që cdo ditë përballet me këtë rrezik. Vlen të përmendet këtu edhe distancimi fizik i personelit shëndetësor nga familjarët e vet përbën një sfidë psikologjike dhe emocionale për të gjithë profesionistët shëndetësorë që janë në vijën e parë të përballjes me COVID-19.