Buletini Nr. 5 “Kujdesi shëndetësor parësor përballë COVID-19”

Zhvillime të reja

Projekti Shëndet për të Gjithë është angazhuar të sigurojë pajisje të mbrojtjes personale për ekipet e kujdesit shëndetësor parësor dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, në zonat gjeografike të mbuluara nga projekti. Për këtë qëllim, është publikuar thirrja për tender publik të cilën e gjeni KETU 

Në faqen zyrtare të HAP janë publikuar materiale të reja trajnuese lidhur me praktikën e sigurt të veshjes dhe heqjes së pajisjeve të mbrojtjes personale (me fokus ekipet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor) dhe 5 pyetje e përgjigje për simptomat, përhapjen dhe mbrojtjen e COVID-19 (për profesionistët shëndetësorë dhe publikun e gjerë). Vizitoni faqen në këtë link

Në Dibër, fatmirësisht nuk ka raste të konfirmuara me COVID-19. Krahas punës në terren për monitorimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 në bashkëpunim me epidemiologët e NjVKSH-ve përkatëse e dorëzimit të medikamenteve në banesë, ekipet e kujdesit shëndetësor parësor atje mundësojnë shërbimin mjekësor sipas paketës së KSHP-së, përshtatur në kushtet e COVID-19.

Për të falenderuar punën e tyre dhe të gjithë profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor, ju ftojmë të shihni këtë video me foto të disa prej mjekëve dhe infermierëve në qarkun Dibër.

Përballja me COVID-19: dëshmi të profesionistëve

Dr. Artemis Haxhaj është një mjek i ri familje që i është bashkuar ekipit të qendrës shëndetësore nr.3 në Fier, ku 32 profesionistë i shërbejnë një popullate prej rreth 30,000 banorësh. Ai dhe ekipi i qendrës po monitorojnë gjendjen shëndetësore të banorëve në vatrat aktive të infektimit me COVID-19 në zonën që mbulon qendra shëndetësore nr. 3.

Dr. Artemisi, si u lajmëruat për rastet e para me COVID-19 në zonën tuaj?

Njëri prej pacientëve u paraqit pranë qendrës shëndetësore dhe duke gjykuar mbi simptomat që raportonte pacienti (temperaturë, kollë), dyshuam për infeksion nga coronavirusi dhe kontaktuam epidemiologët në NjVKSH Fier të cilët i bënë marrjen e tamponit. Për rastin tjetër, jemi njoftuar nga NjVKSH Fier pasi pacienti ishte drejtuar në spital ku edhe i ishte marrë tamponi.

Si procedoni kur dyshohet për një rast me COVID-19?

Nëse gjatë triazhimit me telefon, bazuar në skedën e triazhit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, dyshojmë që personi mund të jetë i infektuar me COVID-19, e njoftojmë të rrijë në shtëpi dhe lajmërojmë epidemiologët në NjVKSH Fier për marrjen e tamponit. Nëse përgjigja e tamponit është negative, por ka gjithsesi dyshime, atëherë bëhet skaneri i mushkërive në Spitalin e Fierit për të vërtetuar nëse pacienti është apo jo i infektuar me COVID-19.

Po në rastin e personave të infektuar me COVID-19, cila është procedura?

Njoftimi për pacientë të infektuar me COVID-19 na vjen nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor. Pasi marrim të dhënat, kontaktojmë me telefon pacientin për të filluar monitorimin e gjendjes së tij shëndetësore të cilin e bëjmë cdo ditë po me telefon. Në rast se gjatë këtij monitorimi vlerësojmë përkeqësimin e gjendjes,  kontaktojmë  Urgjencën  Kombëtarë ose NJVKSH dhe pacienti trasportohet tek Spitali i Sëmundjeve Infektive në Tiranë.

Gjithashtu, pacientit të infektuar me COVID-19 i marrim listën e personave të kontaktit, i kërkojmë të vetëizolohet dhe monitorojmë edhe gjendjen e tij shëndetësore. Nëse një prej personave të kontaktit ka simptoma të infeksionit me COVID-19, komunikojmë me NJVKSH- në për marrjen e tamponit.

Si monitorohet konkretisht shëndeti i personave të dyshuar/infektuar me COVID-19? Kujdesemi që të bëjmë konsulta telefonike dy herë në ditë me të gjithë personat që dyshohen ose janë të infektuar me COVID-19 të cilët janë të izoluar në shtëpi. I pyesim për temperaturën, simptoma si kollë, vështirësi në frymëmarrje apo probleme të tjera shëndetësore. Gjithashtu, kërkojmë listën e personave të kontaktit dhe kryejmë triazhimin    me secilin prej tyre për COVID-19.

Cila është sfida që hasni më shpesh?

Ndërgjegjësimi i publikut që të rrinë në karantinë është padyshim sfida më  e  madhe  që hasim pasi shpesh njerëzit nuk binden për arsyet e karantinimit sidomos kur nuk  kanë  ankesa. Gjithashtu, kanë pasur frikë se për shkak të izolimit mund të humbasin punën dhe   për ta zgjidhur këtë kemi komunikuar me punëdhënësit përkatës që kanë garantuar pagën edhe gjatë periudhës së izolimit.