Buletini Nr. 3 “Kujdesi shëndetësor parësor përballë COVID-19”

RREGULLORJA PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INFEKSIONEVE

Projekti Shëndet për të Gjithë ka vënë në dispozicion të ekipeve të të gjitha qendrave shëndetësore në qarkun Dibër dhe Fier (80 QSH) modelin e Rregullores për Parandalimin dhe Kontrollin e Infeksioneve në qendrat e kujdesit parësor. Rregullorja iu ka ardhur veçanërisht në ndihmë për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në KSHP. Rregullorja është hartuar në kuadër të plotësimit të dokumentacionit në përmbushje të standardeve bazë të akreditimit të qendrave shëndetësore, përmes një
procesi konsultativ dhe mbështetës. Modeli i dhënë është përshtatur nga qendrat shëndetësore sipas specifikave përkatëse. Për të shkarkuar dokumentin, klikoni KETU

TRAJNIMET PËR COVID-19

Në disa qendra shëndetësore në qarkun Dibër dhe Fier po zhvillohen trajnime ndërmjet kolegëve lidhur me zbatimin e masave për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19. Në këto takime janë prezantuar dhe diskutuar: rregullorja e e kontrollit të infeksionit (përmendur më sipër) dhe materialet trajnuese/edukative mbi COVID-19 të Institutit të Shëndetit Publik vënë në dispozicion nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Ekipet e KSHP-së në qarkun Fier kanë marrë pjesë në trajnimin online për COVID-19 të mundësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

MBËSHTETJA E HAP

  • HAP ka përgatitur setin e parë të materialeve trajnuese për ekipet e KSHP-së bazuar në informacionet e ISHP, OBSH dhe CDC (Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, SHBA). Materialet adresojnë çështje lidhur me informacionin për COVID-19 (simptomat, transmetimin), triazhimin, mbrojtjen e fytyrës, higjenën e duarve dhe dezinfektimin e ambjenteve të qendrave shëndetësore, të shoqëruara me identifikimin e praktikave të gabuara që e vendosin personelin dhe pacientin në risk për COVID 19. Këto materiale mund të shkarkohen në faqen zyrtare të HAP, KETU

  • Projekti po punon për përshtatjen në gjuhën shqipe të një seti posterash informues të OBSH me informacione të dobishme për COVID-19 për profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor

Sfidat e kujdesit parësor në përballjen me COVID-19: Dëshmi nga profesionistët

Në të gjithë qarkun e Dibrës, fatmirësisht nuk ka asnjë të konfirmuar me COVID-19, por ekipet e kujdesit parësor atje po punojnë fort për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni. Dhurata Prifti, e cila është kryeinfermiere në qendrën shëndetësore të Peshkopisë, na tregon më tepër nga puna e saj: “Përtej qendrës shëndetësore, kemi bërë gjithashtu monitorimin e ambulancave për zbatimin e masave të kontrollit të infeksionit, kemi shpërndarë në çdo ambulancë materiale përkatëse të printuara dhe në mënyrë elektronike të cilat janë diskutuar brenda ekipit. Gjithashtu, kemi shpërndarë protokollet e masave mbrojtëse të infeksionit dhe për këtë falenderojmë HAP për mbështetjen në përgatitjen e tyre si dhe për ndihmën që na ka dhënë përmes çantës së infermierit*”. Dhurata flet gjithashtu për nevojat për më shumë dezinfektues dhe mjete të mbrojtjes personale për stafin mjekësor: “Shpesh na kërkohet që të ofrojmë shërbimin në shtëpi dhe gjatë vizitës duhet të konsiderojmë çdo pacient sikur është i infektuar që ne të mbrohemi dhe të mos bëhemi mbartës që ta përhapim nga pacienti në pacient”-thotë ajo. “Gjithashtu, kemi patjetër nevojë për trajnime dhe do të ishte mirë të bëheshin online pasi këto trajnime na ndihmojnë si të mbrojmë veten tonë dhe të bëjmë punën sa më mirë.”
____
*Në vitin 2018, HAP pajisi të gjithë personelin infermieror në kujdesin parësor në qarkun Dibër dhe Fier me cantën e infermierit e cila përmban 17 instrumente mjekësore të nevojshme për punën e përditshme të infermierit

“Falë punës së mëparshme me HAP-in për organizimin e aktiviteteve të promocionit shëndetësor, jemi aftësuar më shumë për të
komunikuar me pacientët lidhur me ndërgjegjësimin e tyre për sëmundje të ndryshme. Sot, kjo eksperiencë po na ndihmon të rrisim ndërgjegjësimin për rregullat bazike të ndalimit të përhapjes së infeksionit nëpërmjet mjeteve të komunikimit në distancë.”-
Dr. Irma Gishti, Mjeke familje dhe Drejtore, QSH Roskovec