Buletini Nr. 2 “Kujdesi shëndetësor parësor përballë COVID-19”

Në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, shërbimet vijojnë të ofrohen të përshtatura në përputhje me udhëzimet më të fundit të autoriteteve shëndetësore me synim parandalimin dhe kontrollin e infeksionit nga COVID-19.

Në këtë kuadër, është ulur fluksi i vizitave në qendrën shëndetësore ndërkohë që mjekët e familjes vijojnë konsultat në distancë me telefon/skype të gjendjes shëndetësore të rasteve të dyshuara/konfirmuara me COVID-19 si dhe të kryejnë në distancë triazhin pasiv në përgjigje të telefonatave të mbërritura në  QSH bazuar në skedën ‘Triazh COVID-19’ të Qendrës  Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Më poshtë ju ftojmë të lexoni lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor parësor në situatën e epidemisë COVID-19.

Reagimi i HAP në ndihmë të ekipeve të KSHP-së:

  • Projekti Shëndet për të Gjithë është duke punuar për ofrimin e një trajnimi online për ekipet e kujdesit shëndetësor parësor dhe Njësive Lokale të Kujdesit Shëndetësor në qarkun Dibër dhe Fier me qëllim parandalimin dhe kontrollin e infeksionit nga Corona virus. Trajnimi Synon që profesionistët e KSHP-së të jenë të trajnuar:
    • për rëndësinë, përzgjedhjen dhe përdorimin e duhur të pajisjeve të mbrojtjes personale
    • për të njohur e dalluar simptomat e infeksionit të mundshëm me COVID-19 dhe që t’i ofrojnë kur do që të jetë e mundur maskë mjekesore rasteve të dyshuara
    • për të njohur përkufizimin e rastit, bërë triazhimin dhe referuar rastin sipas rregullave të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore
    • të izolojnë shpejt një rast të dyshuar
    • për higjenën e duarve në mënyrë të vazhdueshme
  • HAP ka krijuar një hapësirë të dedikuar COVID-19 në faqen e saj zyrtare me informacione të dobishme për ‘Profesionistët e kujdesit shëndetësor parësor si dhe informacione bazike për ‘Publikun’. Faqja përmban informacione në shqip të përshtatura nga autoritete shëndetësore të huaja dhe kombëtare. Për më shumë informacion, vizitoni LINKUN

Materiale trajnuese për profesionistët shëndetësorë

Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar materiale edukuese/trajnuese me fokus profesionistët shëndetësore. Materialet janë shpërndarë përmes NjVKSH-ve. Këto materiale mund të gjenden gjithashtu në faqen zyrtare të HAP në hapësirën e dedikuar për COVID-19 së bashku me të  gjitha vendimet e autoriteteve shëndetësore lidhur me menaxhimin e situatës COVID-19 nga KSHP me qëllim njohjen për zbatim nga ana e profesionistëve shëndetësorë dhe publikut.

Kujdesi për pacientët kronikë

Mjekët e familjes po zbatojnë në nënyrë rutine dhe në shkallë të gjerë konsultimet në distancë përmes mjeteve të teknologjisë së informacionit, gjendjen shëndetësore të pacientëve kronikë në zbatim të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore për respektimin e rregullave të “qëndrimit larg nga njëri tjetri më shumë se 1 metër” (distancimi shoqëror). Në këtë situatë ka dalë si nevojë për një cilësi më të mirë të konsultave në distancë prodhimi dhe vënia në dispozicion të ekipeve të Mjekësisë së Familjes të udhëzuesve klinikë të përshtatur për konsultat në distancë.

Përballja me COVID-19: dëshmi të profesionistëve

Dr. Reldi Musta është mjek familje dhe drejtor i qendrës shëndetësore Kurjan* e cila mbulon edhe fshatin Mbërs ku kanë qenë në karantinë 102 familje. Në këtë fshat ka pasur 2 raste të konfirmuara me COVID-19 çka solli edhe nevojën e karantinimit të të gjithë fshatit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Si rezultat, periudha e karantinimit përfundoi në datë 1 prill pa raste të reja me COVID-19.

‘Kemi kontrolluar gjendjen shëndetësore të personave kryesisht me telefon duke iu kërkuar dy herë në ditë të masin temperaturën dhe raportojnë për probleme të mundshme shëndetësore.-thotë Dr. Reldi.- Gjithashtu, kur kemi ofruar shërbimin shëndetëesor në banesë për pacientët që kanë pasur nevojë për mjekim.”

Teksa flet për sfidat e hasura derimë tani, Dr. Reldi përmend nevojën e trajnimeve direkte të personelit të kujdesit shëndetësor parësor si pikë e parë kontakti me pacientët. “Shpesh ndjehemi të pambrojtur mjaftueshëm ndaj kemi shumë nevojë të trajnohemi se si të mbrojmë më mirë veten tonë, kolegët dhe pacientët si dhe të pajisemi me më shumë mjete të mbrojtjes personale-thotë Dr. Reldi- Po bëjmë më të mirën që pacientët tanë ti trajtojmë lokalisht pa qenë nevojë ti dërgojmë në spital por kemi nevojë për më shumë mbështetje.”

Së fundi, iu lutemi qytetarëve të zbatojnë protokollet e bëra publike në media gjithashtu si dhe të komunikuara nga mjekët e familjes. Për çdo shqetësim, komunikoni në çdo kohë me mjekun e familjes.

___

Qendra shëndëtesore Kurjan (Bashkia Roskovec) i shërben 4766 banorëve. Ekipi i qendrës shëndetësore (përfshirë 2 ambulancat) përbëhet nga 1 mjek familje dhe 7 infermierë. QSH Kurjan u rikonstruktua nga Projekti Shëndet për të Gjithë në vitin 2018.

Duke qenë se në komunitetin ku ne shërbejmë kemi pasur raste me COVID-19, kam parë si nevojë konkrete trajnimet shtesë në përballjen me pacientë të dyshuar me COVID-19 duke qenë se ky është një virus i ri dhe nuk jemi përballur më parë. Na duhen trajnime konkrete lidhur me masat që duhen marrë në përballjen me këta pacientë, trajnime lidhur me veshjet  specifike që përdoren në këto raste, mënyrën e veshjes dhe zhveshjes së tyre sepse duan një kujdes maksimal për të mos u kontaminuar prej tyre sado e thjeshtë të duket si procedurë. – Anisa Shpata, Infermiere, QSH Patos