Raste me COVID-19 në qarqet Dibër dhe Fier

Gjatë kësaj jave (deri më 29 maj), në të dy qarqet ka pasur raste të reja infektimi me COVID-19, përkatësisht 6 raste në qarkun Dibër dhe 4 raste në qarkun Fier. Stafet e NjVKSH-ve përkatëse po kryejnë hetimin epidemiologjik përmes gjurmimit të personave të kontaktit ndërkohë që profesionistët e kujdesit shëndetësor parësor po monitorojnë gjendjen shëndetësore të personave të infektuar dhe izoluar në shtëpi.

Udhëzime nga autoritetet shëndetësore

  • Në poliklinikat e specialiteve në të dy qarqet kanë rinisur vizitat e mjekëve specialistë në përputhje me urdhërin e lëshuar më herët nga Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Në këtë kuadër, mjekët e familjes janë pajisur me udhëzuesin “Për referimin tek mjekët specialistë në periudhën e pandemisë nga SARS-CoV-2”.
  • Drejtoria Rajonale e FSDKSH në Dibër vijon zhvillimin e trajnimeve në grupe të vogla për mjekët e familjes lidhur me regjistrimin elektronik të konsultave të pacientëve. Në këtë kuadër, HAP ka mbështetur mjekët e familjeve të disa qendrave shëndetësore duke siguruar pjesën logjistike.

Mbështetja e HAP për ekipet e KSHP-së

HAP-i për pesë javë rresht ka publikuar në formën e materialeve trajnuese-informuese për personelin shëndetësor dhe publikun përgjigjet për pyetjet që bëhen shpesh rreth COVID-19. Këtë javë HAP-i fillon publikimin e materialeve trajnuese lidhur me ndikimet në shëndetin mendor të publikut dhe punonjësve shëndetësorë të epidemisë së COVID-19.

Përballja me COVID-19: Bashkëpunimi në nivel lokal

Një histori e suksesshme bashkëpunimi në nivel lokal këtë herë vjen nga Bulqiza ku, ndër të tjera, një akt-marrëvëshje për bashkëpunim ndër-institucional u firmos mes Bashkisë, NjVKSH-së dhe Zyrës Arsimore që në ditët e para të pandemisë. Synimi i akt-marrëveshjes ishte marrja  e masave higjeno-sanitare për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve respiratore dhe të COVID-19 në institucionet parashkollore, kopshte, cerdhe dhe institucionet të tjera arsimore. Ne biseduam me Z. Flamur Meta, drejtor i NjVKSH Bulqizë, i cili na tregon edhe për aspekte të tjera të bashkëpunimit në Bulqizë “Kemi bashkëpunuar me policinë e rendit, policinë bashkiake organizuam grupe të përbashkëta, përfshirë personelin e NjVKSH-së, që të monitoronim zbatimin e rregullave të karantinimit nga qytetarët dhe zbatimin e kritereve të higjenizimit dhe distancimit social për subjektet shtetërore dhe private që ofronin shërbime publike në komunitet gjatë karantinës.”

Z. Meta thekson gjithashtu bashkëpunimin e mirë me Bashkinë Bulqizë, grupet e emergjencës të ngritur në çdo njësi administrative dhe personelin e qendrave
shëndetësore për dërgimin e barnave të rimbursueshme tek 2918 pacientë kronikë.

Z. Meta na tregon edhe se si i ka ndihmuar bashkëpunimi i mëparshëm dhe ai aktual me HAP: “Gjatë punës për ndërgjegjësimin e qytetarëve në këtë periudhë pandemie, na ka ndihmuar shumë bashkëpunimi i mëparshëm me Projektin Shëndet për të Gjithë, lidhur me trajnimet që janë realizuar për promocionin shëndetësor. Mbështetja dhe bashkëpunimi është fokusuar në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme ndërgjegjësuese, të organizuara posaçërisht në komunitet dhe me grupe të vecanta, më vunerabël. Synimi  ka qenë rritja e mundësisë së aksesimit të tyre në marrjen e plotë të shërbimit shendetësor parësor, me synim mbulimin shëndetësor universal në komunitet. Aktualisht, bashkëpunimi që kemi me HAP për procesin e  akreditimit të disa qendrave shëndetësore në Bulqizë, është një eksperiencë shumë e dobishme sidomos lidhur me organizimin e punës dhe zbatimin e protokolleve me fokus parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve, çka ka qenë shumë e nevojshme në këto kohë të përballjes me COVID-19.”