Buletini Nr. 1: “Kujdesi shëndetësor parësor përballë COVID-19′

Ekipet e qendrave shëndetësore të kujdesit parësor kanë përshtatur shërbimet që ofrojnë në përputhje me udhëzimet më të fundit të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në përgjigje të situatave të reja si pasojë e COVID-19. Më poshtë është një përmbledhje e veçorive të shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor bazuar në të dhënat që Projekti Shëndet për të Gjithë ka marrë nga komunikimi me ekipet e disa qendrave shëndetësore në qarkun Fier dhe Dibër.

Shprehim mirënjohjen e thellë për punën e personelit shëndetësor të kujdesit parësor për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

IDENTIFIKIMI/NDJEKJA E RASTEVE ME COVID-19

  • Ekipet e QSH-ve:
    • Ndjekin me telefon gjendjen shëndetësore gjatë periudhës së vetë-izolimit të:
      • Personave të infektuar me COVID-19 që janë izoluar në shtëpi
      • Personave që kanë pasur kontakte me personat e infektuar me COVID-19, sipas databazës së Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor
      • Personave të kthyer së fundmi nga Italia (bazuar në databazën e Policisë dhe organeve të pushtetit vendor)
    • Në emër të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, kryejnë triazh pasiv në përgjigje të telefonatave të mbërritura në QSH bazuar në skedën ‘Triazh COVID-19’ të Qendrës  Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (sipas Udhëzuesit të OSHKSH)
    • Kryejnë informimin aktiv të popullatës në zonat përkatëse të mbulimit lidhur me rëndësinë jetike të zbatimit nga çdo individ të rregullave bazike të ndalimit të përhapjes së infeksionit nëpërmjet mjeteve të komunikimit në distancë (telefon, sms, whatsapp, viber etj.)
    • Përpiqen në maksimumin e mundësive të tyre të ndjekin rregullat për vetëmbrojtje dhe ndalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19 duke respektuar rregullat e mbajtjes, eleminimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe të larjes së duarve dhe dizinfektimit të ambjentit të QSH-së.

KUJDESI PËR PACIENTËT KRONIKË

  • Në zbatim të udhëzimeve të autoriteteve shëndetësore, konsultat në qendrën shëndetësore në shumicën e rasteve janë zëvendësuar me konsulta telefonike çka ka sjellë rënie të fluksit të vizitave në qendrat shëndetësore. Në këtë kuadër, për të lehtësuar komunikimin, numri i telefonit personal të mjekut të familjes është publikuar në fasadën e qendrës shëndetësore dhe kanalet e saj online të komunikimit si dhe ato të pushtetit vendor, biznese lokale etj.- Pacientët kronikë janë informuar që të tërheqin recetën e barnave pranë recepsionit të QSH-ve  ose të shkojnë direkt në farmaci pasi iu konfirmohet kodi/kodet e recetës në mënyrë elektronike (telefon, sms, whatsapp, viber etj.)- Në rastet e zonave të thella ose të pacientëve mbi 65 vjeç që nuk mund të lëvizin apo nuk kanë të afërm që kujdesen për ta, është mundësuar dorëzimi i barnave në banesë nga ambulanca ose QSH-ja përkatëse në bashkëpunim me pushtetin vendor.

VAKSINIMI I FËMIJËVE

Programi i vaksinimit të fëmijëve vijon vetëm me planifikim paraprak të vizitës në qendrën shëndetësore. Janë marrë masa që në konsultorin e fëmijës të hyjë vetëm nëna dhe fëmija.

PËRBALLJA ME COVID-19: DËSHMI TË PROFESIONISTËVE

Kemi punuar ngushtësisht me HAP në kuadër të përmbushjes së kërkesave për akreditimin e qendrës tonë shëndetësore, sic është udhëzuesi për parandalimin e infeksioneve. Kjo përvojë na ka ndihmuar shumë që të bënim rregullimet e nevojshme dhe të përshtasim prakikën e punë sonë duke synuar parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19 teksa vijojmë ti shërbejmë komunitetit tonë. – Dr. Tushe Qalliu, Mjeke familje dhe Drejtore e QSH Aranitas