Ambasadori Maître viziton qendrat shëndetësore në Roskovec dhe Portëz

Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Z. Adrian Maître, vizitoi në 16 janar 2019 dy qendra shëndetësore të kujdesit parësor në qarkun e Fierit, përkatesit në Roskovec dhe Portëz.

Ambasadori Maître pa nga afër ambientet e QSH Roskovec, të ri-konstruktuara falë investimit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim përmes Projektit Shëndet për të Gjithë.  QSH Roskovec ofron shërbimin e urgjencës 24 orë dhe stafi mjekësor është trajnuar mbi trajtimin e rasteve urgjente cka iu jep mundësinë që të shpëtojnë jetën e pacientëve.  Ambasadori Maître mori pjesë në një prej takimeve të grupit të kolegëve, formë e edukimit të vazhdueshëm mjekësor e zhvilluar dhe mbështetur nga HAP.

Në Portëz, Ambasadori Maître takoi personelin mjekësor të qendrës shëndetësore të cilët treguan ndryshimet pozitive në praktikën e punës dhe bashkëpunimin brenda ekipit në sajë të mbështetjes së HAP sic janë dhurimi i instrumentave mjekësorë përmes cantës së mjekut dhe cantës së infermieres si dhe trajnimet e vazhdueshme mbi tema klinike dhe menaxheriale. 

Më herët, Ambasadori pati një takim me ekipin drejtues të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik të Fierit (DRSHP), gjatë të cilit u shkëmbyen mendime lidhur me sfidat dhe arritjet e sistemit shëndetësor rajonal si edhe për kontributin e Zvicrës dhe të projektit HAP në këto procese. Drejtori i DRSHP Fier, Z. Kreshnik Ternova shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën që ka dhënë Zvicra në fushën e kujdesit shëndetësor parësor në Fier e cila ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit, rritjen e kënaqësisë së pacientëve për shërbimin dhe rritjen e motivimit të personelit mjekësor.