Rreth HAP

Aktualisht, sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri po i nënshtrohet një transformimi madhor me synim për të ofruar shërbim të kujdesit shëndetësor të një cilësie të lartë për të gjithë popullsinë, veçanërisht për grupet e disavantazhuara.

Që prej vitit 2015, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) dhe zbatuar nga konsorciumi i udhëhequr nga Swiss Tropical dhe Instituti i Shëndetit Publik (Swiss TPH), Terre des hommes dhe Save the Children, po ndihmon në promovimin e shëndetit publik në qarqet e Dibrës dhe Fierit.

Projekti synon të ndihmojë popullatën e këtyre dy qarqeve për të përfituar shëndet më të mirë nëpërmjet përmirësimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor dhe aktiviteteve të promovimit të shëndetit.

 

 Si ndihmojmë ne në përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor në qarqet e Dibrës dhe Fierit?

Projekti Shëndet për të Gjithë po punon ngushtësisht me Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, zyrtarët e kujdesit shëndetësor parësor, mjekët e familjes në qarqet e Dibrës dhe Fierit, dhe me organizatat lokale të shoqërisë civile për të përmirësuar aksesin publik te sistemi shëndetësor nëpërmjet:

Forcimit të Menaxhimit të Kujdesit Shëndetësor: duke ofruar trajnime për të zhvilluar më tej kapacitetet menaxhuese, për ta forcuar dhe për ta bërë shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor më efikas.

Përmirësimit të Infrastrukturës: duke rehabilituar infrastrukturën dhe duke ofruar pajisje bazë për përdorim dhe funksionim më të mirë të qendrave të kujdesit shëndetësor parësor.

Nxitjes së Përfshirjes Sociale: duke forcuar kapacitetet në promovimin e shëndetit dhe në parandalimin e sëmundjeve për organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetet, për të siguruar se përfituesit e shërbimit janë më të mirëinformuar për çështjet shëndetësore.

Rritjes së transparencës dhe llogaridhënies: duke zbatuar mekanizma të transparencës, mjete të llogaridhënies dhe strategji anti-korrupsion për të përmirësuar cilësinë e kujdesit në mënyrë të atillë që të përqendrohet te pacienti.

Edukimit të Vazhdueshëm Mjekësor (EVM): duke ofruar aktivitete për EVM-në për të rritur aftësitë e punonjësve të kujdesit shëndetësor.

 

Çfarë kemi bërë ne deri tani?

126 doktorë kanë fituar kredite për EMV nëpërmjet 6 aktiviteteve trajnuese për: transparencën, përgjegjshmërinë, mirëqeverisjen; menaxhimin shëndetësor; talaseminë, hipertensionin; përdorimin e kompjuterit dhe mjeteve teknologjike

20 menaxherë të qendrave shëndetësore janë trajnuar në menaxhim shëndetësor

98 mjekë familje janë përfshirë në 12 Grupe Kolegësh dhe janë pajisur me çanta mjekësore

15 menaxherë të qendrave shëndetësore kanë organizuar takime të hapura me komunitetin dhe përfaqësues të qeverisë lokale dhe shoqerisë civile

6 kabinete të promocionit shëndetësor janë pajisur me laptopë, printera, aparate fotografik, video-projektorë, dhe flip-charts

Drejtoritë Rajonale të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore janë pajisur me kompjutera dhe  printera për pajisjen e popullatës së qarqeve Dibër dhe Fier me kartën e shëndetit

345 vullnetarë shëndetësor kanë zhvilluar 200 seanca edukimi shëndetësor në nivel komunitar

 

Cilat janë grupet dhe përfituesit që ne synojmë?

  • Banorët e qarqeve Dibër dhe Fier, veçanërisht grupet vulnerabël
  • Mjekët, stafi i infermierëve dhe punonjësit e tjerë në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor
  • Autoritetet shëndetësore dhe arsimore shqiptare
  • Shoqëria civile

 

Kush janë partnerët tanë?

  • Ministria e Shëndetësisë
  • Instituti i Shëndetit Publik
  • Qendra Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm Mjekësor
  • Universiteti i Mjekësisë në Tiranë
  • Fakulteti i Shëndetit Publik
  • Fondi i Sigurimeve Shëndetësore
  • Bashkia Fier, Mallakastër, Lushnje, Roskovec, Patos, Burrel, Bulqizë, Peshkopi, Klos
  • Drejtoritë Rajonale të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Dibër dhe Fier
  • Drejtoritë e Shëndetit Publik në Fier, Mallakastër, Lushnje, Burrel, Bulqizë, Peshkopi
  • Qendrat shëndetësore
  • OJQ dhe Organizata të Shoqërisë Civile