Thirrje për Aplikime

Thirrje për Aplikime:  Bashkëfinancim me Njësitë e Qeverisjes Vendore për rehabilitimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore dhe ambulancave në 10 bashkitë e Qarqeve Fier dhe Dibër.

Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP), i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet një fondi grant, do të mbështesë  Njësitë e Qeverisjes Vendore (NJQV) për zbatimin e një mekanizmi bashkëfinancimi në qarqet Dibër dhe Fier, me synim rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së Kujdesit Shëndetësor Parësor (qendrave shëndetësore dhe ambulancave). Mekanizmi do të zbatohet në bashkëpunim të plotë me Njësitë të Qeverisjes Vendore dhe autoritetet shëndetësore rajonale dhe lokale të qarqeve Fier dhe Dibër (drejtoritë rajonale të Operatorit dhe Njësitë Vendore të Shërbimeve Shëndetësore).

Fondi grant i HAP-it në dispozicion të mekanizmit të sipërpërmendur synon ngritjen e kapaciteteve të NJQV-ve  lidhur me planifikimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve prioritare për rehabilitimin/mirëmbajtjen e infrastrukturës së KSHP-së, përmes nje qasje transparente dhe gjithë-përfshirëse.

Aplikimi për Fondin grant të HAP-it nga NJQV-të në Qarkun Dibër dhe Fier parashikon dy faza:

Faza e parë ose Faza e përzgjedhjes të koncept-projekteve.  NJQV-të e interesuara do të përgatisin dhe dorëzojnë tek HAP-i koncept-projektet.

Faza e dytë ose Faza e miratimit të projekt-propozimeve. NJQV-të e kualifikuara nga faza e parë do t’u kërkohet të dorëzojnë projekt-propozimet e plota, përfshirë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor.

Në këtë kuadër, HAP fton Bashkitë e qarqeve Fier dhe Dibër për të bashkëpunuar në realizimin e nismës së bashkëfinancimit për rehabilitimin e qendrave shëndetësore apo ambulancave duke shpallur thirrjen për aplikime për Fazën e parë.

Aplikantët e mundshëm

Aplikantët e mundshëm do të jenë 10 bashkitë e Qarkut Dibër (Dibër, Mat, Klos, Bulqize) dhe Fier (Fier, Lushnje, Patos, Roskovec, Mallakastër, Divjake).  HAP fton aplikantët që të marrin pjesë në garën për paraqitjen e projekteve të përmirësimit të infrastrukturës shëndetësore, me qëllim që të përfitojnë nga mundësia e krijuar nga nisma e bashkëfinancimit për rehabilitimin e infrastrukturës së KSHP-së,   QSH dhe /ose Ambulanca.

Çdo bashki mund të paraqesë një aplikim për thirrjen, me synim rehabilitimin e një ose më shumë objekteve shëndetësore, por pa tejkaluar maksimumin e financimit prej 11,000,000 ALL nga HAP-i (jo më shumë se 70% e kostos totale të projektit).  Kontributi lokal duhet të përllogaritet në masën prej të paktën 30% të kostos totale të projektit, përfshirë të gjithë vlerën e TVSH-së.

Projektet që mund të financohen

Në parim granti mund të financojë të gjithë projektet që janë të lidhura drejtpërdrejt me rehabilitimin e infrastrukturës së Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave me kufizimet e mëposhtme:

  • Ky grant nuk do të financojë blerjen e tokave dhe godinave, qoftë edhe për qëllime të projektit.
  • Ky grant nuk do të financojë pagat e personelit të bashkive, qoftë edhe ata që përfshihen në aktivitete të zbatimit të projektit.

Kostoja e projektit dhe kontributi lokal

Vlera e financimit nga ana e HAP mund të variojë nga 2,200,000 Lekë deri në 11’000’000 Lekë, pa TVSH. Kostot e financueshme përfshijnë punimet civile dhe infrastrukturën. Kostot e projektit duhet të përfshijnë edhe taksat. TVSH-ja do të mbulohet përmes kontributit të NJQV-ve. Kostot e plan-projektimeve, supervizionit dhe kolaudimit do të mbulohen nga NJQV-të jashtë kostos së projektit.  Mbikqyrja dhe dorëzimet përfundimtare do të mbulohen nga NJQV-ja jashtë projektit.

Kontributi i Bashkive duhet të jetë financiar dhe të përbëjë te paktën 30% të kostos totale të projektit, përfshirë TVSH-në.  NJQV-ve që do të propozojnë një kontribut më të madh do t’u jepet një pikëzim më i lartë në fazën e vlerësimit.

Punimet civile duhet të kryhen nga kontraktorë apo ofrues shërbimesh të specializuar në fushat përkatëse.

Faza e parë:  Vlerësimi dhe filtrimi i koncepteve të projekt propozimeve

Projektet do të vlerësohen nga një grup ekspertësh të angazhuar nga HAP-i.Vlerësimi do të bëhet bazuar në informacionin e ofruar nga NJQV-ja aplikante në formularin e aplikimit dhe në dokumente të tjera bashkangjitur aplikimit.

Vlerësimi do të bëhet bazuar në kritere të detyrueshme dhe vlerësuese.

Në fazën e parë të vlerësimit do të kontrollohen: 1) rëndësia e projektit për komunitetin, mbështetur në kriteret demografike dhe shëndetësore të paraqitura; 2) kriteret e detyrueshme.  Aplikimet që nuk përmbushin kriteret e detyrueshme do të skualifikohen. Personeli  i HAP do të verifikojë nëse aplikimet i përmbushin kriteret e detyrueshme.

Kriteret e detyrueshme në këtë fazë janë si më poshtë:

  1. Dorëzimi në kohë i koncept-projektit demografik dhe shëndetësor
  2. Projekti i propozuar nuk është një investim i pjesshëm
  3. Konfirmimi i NJQV-së për të bashkëfinancuar të paktën 30 % të shumës së projektit.
  4. Vendim i Këshillit të NJQV-së për mbështetjen e projektit.
  5. Konfirmimi i pronësisë së Bashkisë mbi ndërtesën që është objekt i propozimit.

Aplikimeve që kualifikohen do t’u vendoset një pikëzim bazuar në: a) kriteret e vlerësimit të paracaktuara që përfshijnë vlerësimin e ndikimit të pritshëm mbi cilësinë e shërbimeve shëndetësore, treguesit shëndetësore në jetën e komuniteteve përfituese, aspektet e barazise gjinore etj. dhe b) kriteret institucionale, që vlerësojnë cilësinë e propozimit të dorëzuar.

Koncept-projektet do të renditen bazuar në pikët e marra gjatë vlerësimit nga ekspertët e mobilizuar dhe nga ekipi  i HAP-it

Ekipi i HAP-it do të njoftojë zyrtarisht aplikantët si në rastin e moskualifikimit të propozimit të tyre ashtu edhe në rastin e ftesës për  përgatitjen e projekt propozimit të plotë.

Formulari i aplikimit për këtë thirrje dhe dokumentacioni mbështetës mund të shkarkohet këtu  (për formatin në ‘word’ klikoni këtu)

Formulari me udhëzime për plotësimin e formularit të aplikimit mund të shkarkohet këtu

Aplikimet duhet të dorëzohen me postë brenda datës 20 Nëntor 2020, ora 16:00, në zarfa të mbyllur në adresën më poshtë:

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Germenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.5, Tiranë, Shqipëri