Projekti Shëndet për të Gjithë krijon një platformë shkëmbimi për menaxherët e qendrave shëndetësore

Në 2016, për të parën herë, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) prezantoi Forumin e Menaxherëve, një platformë e rëndësishme për shkëmbim, diskutim, zbulim, bashkëpunim, koordinim dhe planifikim të çështjeve menaxheriale në kujdesin shëndetësor parësor. Forumet e parë u krijuan në Fier (2), Burrel (1) dhe Dibër (1) në janar të 2016; Lushnja krijon forum e vet në mars dhe drejtuesit e qendrave shëndetësore në Mallakastër ndjekin shembullin e kolegëve duke shënjuar qershorin si muajin e krijimit të forumit të tyre. Deri në mars të 2017 janë formuar 7 forume në të dyja qarqet (Dibër dhe Fier), dhe 80% e menaxherëve të qendrave shëndetësore janë përfshirë në to.

Forumet e menaxherëve ofrojnë një hapësirë për të ndarë eksperienca pozitive dhe shqetësime të përbashkëta në lidhje me planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Krijimi, dhe suksesi në rritje, i Forumit të Menaxherëve u vu re edhe nga Qendra Kombëtare për Edukimin në Vazhdim (QKEV),  e cila vendosi që t’i njihte këto forume si aktivitete të akredituara për edukimin në vazhdim në sektorin e menaxhimit shëndetësor. Megjithëse forumet u krijuan pak më shumë se një vit më parë, ato kanë shënjuar tashmë disa arritje inkurajuese, si rishikimi i kontratave të shërbimit midis qendrave shëndetësore dhe Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor; planifikim e vizitave të pacientëve kronik dhe përfshirjen e komunitetit në aktivitetet planifikuese.

Projekti Shëndet për të Gjithë është një nga mbështetësit kryesor të Forumit të Menaxhereve, duke forcuar aftësitë e facilitatorëve dhe anëtarëve nëpërmjet trajnimeve të ndryshme; duke siguruar pajisjet dhe materialet e nevojshme për forumet dhe duke ofruar mundësi për shkëmbim eksperiencash ndërmjet tyre.