Takimi i Rrjetit të Organizatave të Pacientëve me Sëmundje Kronike

Më 22 nëntor u zhvillua në Dibër takimi i dytë me pacientë dhe aktorë lokalë ku u diskutuan sfidat dhe mangësitë në marrjen e shërbimit shëndetësor parësor dhe zbatimin e të drejtave të pacientëve në nivel lokal. Takimi i parë i Rrjetit u zhvillua në 31 tetor në Fier.

Në takime morën pjesë 60 pjesëmarrës të cilët janë përfaqësues të pushtetit vendor, Drejtorive të Shëndetit Publik, Drejtorive Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pacientë, media dhe organizatave jo-qeveritare.

Të dy takimet u organizuan nga ‘Rrjeti i Organizatave të Pacientëve me Sëmundje Kronike’ me mbështetjen financiare të Projektit Shëndet për të Gjithë. Gjatë takimeve, drejtues i rrjetit prezantoi situatën e pacientëve me sëmundje kronike në secilin prej qarqeve (Fier dhe Dibër) duke ofruar informacion statistikor sipas grup-moshave, ndarjes gjinore të popullsisë, vdekshmërinë dhe efikasitetin e institucioneve lokale në menaxhimin e këtyre problematikave si dhe zbatimin e të drejtave të pacientit në këto qarqe.

Përfaqësuesit e Drejtorive Rajonale të Shëndetit Publik dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, paraqitën një informacion të përgjithshëm për sëmundjet kronike dhe rolin që këto institucione kanë në parandalimin e sëmundjeve kronike përmes aktiviteteve të promocionit shëndetësor synimi i të cilave është ndërgjegjësimit i popullatës për këto sëmundje. Takimet kanë shërbyer si një mundësi e mirë për ti njohur pjesëmarrësit me zhvillimet më të fundit në fushën ligjore dhe atë institucionale në lidhje me zbatimin e të drejtave të pacientit.

Një pjesë e rëndësishme e takimeve ishte sesioni i diskutimeve të hapura ndërmjet pjesëmarrësve. Në këtë mënyrë, pacientët kishin mundësi që të shprehnin opinionin e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe sugjerimet lidhur me sëmundjet kronike nga të cilat vuajnë si dhe disponueshmëria dhe cilësia e shërbimit shëndetësor që marrin.

Krahas rezultateve të arritura gjatë viteve të fundit, sëmundjet kronike vijojnë të jenë një problem serioz për sektorin e shëndetit publik si pasojë e: mungesës së informacionit, stilit të jetesës, ndotjes, faktorëve gjenetikë etj. Në këtë kuadër, në fund të takimeve u bënë rekomandimet vijuese:

  • institucionet kombëtare dhe lokale shëndetësore duhet të përmirësojnë politikat dhe praktikat e tyre për të zgjidhur mangësitë dhe problemet në lidhje me mungesën e stafit, barnave dhe infrastrukturës
  • nevojitet rritje e ndërgjegjësimit të pacientëve lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përmes organizimit të sesioneve informuese, fushatave dhe përfshirjes së plotë të të gjithë aktorëve lokalë