Profilet e punës në KSHP

Nga njëra anë, sistemi i KSHP-së po përballet me vështirësinë e shpërndarjes së fuqisë punëtore të shëndetësisë, dhe nga ana tjetër me kapacitetin e personelit që përballet me sfidat ekzistuese dhe të reja të popullsisë në shëndetësi. Sipas të dhënave empirike, jo të gjitha komunitetet rurale dhe të thella përfitojnë shërbime mjekësore nga mjekët e familjes.

HAP-2 po mbështet nismën e MSHMS-së dhe partnerëve të tjerë të sektorit shëndetësor për ripërcaktimin e roleve dhe përgjegjësive të personelit të KSHP-së, duke u përqendruar te qendrat shëndetësore dhe pikat ambulatore. Qëllimi i kësaj sipërmarrjeje është rihartimi i profileve të punës së infermierëve në komunitet me qëllim aftësimin e kësaj kategorie profesionale për të përballuar vështirësitë e reja në shëndetësi dhe barrën e sëmundjeve në Shqipëri, sidomos në lidhje me SJT-të dhe kancerin, shëndetin e grave dhe adoleshentëve, si dhe kujdesin ndaj popullsisë së moshuar në Shqipëri.

HAP-2 do të ofrojë të gjithë ekspertizën teknike të nevojshme për të ndarë modelet më të mira, që konsiderohen të suksesshme në vende të përzgjedhura me kushte ekonomike dhe sociale të ngjashme. Ekspertët do të punojnë ngushtësisht me politikëbërësit dhe përfaqësuesit shqiptarë të palëve më të rëndësishme të interesit (MSHMS-ja dhe agjencitë përkatëse, urdhrat dhe shoqatat e profesioneve, institucionet akademike, autoritete vendore, etj.) me qëllim krijimin dhe zhvillimin e modeleve më të përshtatshme që kanë gjasa të shumta për zbatim të suksesshëm.