Profesionistët e KSHP vlerësojnë materialet edukuese të HAP për COVID-19

Që në momentet e para që u përballëm me COVID-19, informacioni ishte i pakët, sidomos në fillim të marsit. Kudo në ambjentet e punës, në ambjentet familjare e shoqërore, ne na kërkohej  shumë informacion në lidhje me këtë sëmundje të re. ”- tregon Dr. Artenca, mjeke familje në Tiranë. Si Dr. Artenca, u ndjenë edhe shumë profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor parësor të cilët filluan të kërkonin informacione të përditësuara për COVID-19 në faqet zyrtare të institucioneve shëndetësore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Sfidat më të para ishin dy: së pari, materialet kishin kryesisht në fokus profesionistët e vijës së parë që merreshin me identifikimin dhe trajtimin e personave të dyshuar/konfirmuar me COVID-19 (epidemiologë, infeksionistë, pneumologë etj.) dhe së dyti, pjesa më e madhe e materialeve ishin kryesisht në gjuhën angleze çka e bënte të vështirë shpërndarjen e tyre tek të tjerët.

I ndërgjegjshëm për këtë nevojë për informacion, Projekti Shëndet për të Gjithë filloi menjëherë përgatitjen e materialeve informuese-edukuese për COVID-19, si për profesionistët e kujdesit shëndetësor parësor, edhe për publikun e gjerë bazuar kryesisht në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve të SHBA-së dhe Europës. “Në faqen e HAP, gjetëm përgjigjet e shumë pyetjeve që merrnim nga pacientët lidhur me vetë-izolimin dhe vetë-karantimin, këshillat për gratë shtatëzëna dhe nënat e reja dhe materiale që mund të lexohen dhe kuptohen lehtësisht nga publiku – thotë Dr. Xhovana, mjeke familje në QSH Kuman.

Sokoli, infermier në QSH Zerqan (Bashkia Bulqizë) dhe kolegët e tij janë kujdesur për një rast të infektuar me COVID-19 dhe tregon se si e kanë ndihmuar tema të veçanta: “Sikurse pritej, vetë pacientin dhe familjarët e tij dhe rastet e kontaktit, i zuri paniku ndaj materialet lidhur me menaxhimin e stresit gjatë COVID-19 na ndihmuan shumë për të dhënë këshillat e nevojshme.”

Nevoja për trajnime…

Materialet trajnuese të HAP, si një bazë e mirë për trajnime online, u ndanë brenda ekipeve të qendrave të cilët i diskutuan me njëri-tjetrin në vendin e punës dhe ne distancë përmes telefonit dhe rrjeteve sociale. Tashmë, në kushtet e lehtësimit të masave dhe të lejimit të aktiviteteve trajnuese, duke filluar nga data 29 maj, disa prej tyre kanë planifikuar  një seri takimesh të Grupit të tyre të Kolegëve të akredituara nga QKEV-ja , bazuar në setin me materiale trajnuese prej 10 temash të hartuara nga HAP.

E ardhmja…

Pas përballjes së parë me COVID-19, profesionistëve shëndetësorë të kujdesit parësor do tu duhet të mësojnë të ‘bashkëjetojnë’ me rrezikun e sëmundjes së re. Në këto kushte, ata nxjerrin në pah nevojën e një mjeti për përmirësimin e cilësisë së konsultimeve në distancë si dhe platforma komunikimi e informimi me pacientët, për COVID-19 dhe jo vetëm. Në këtë kuadër, HAP po punon për hartimin e udhëzuesve klinikë për konsultimet në distancë për sëmundjet kronike si dhe po planifikon ngritjen e një sistemi elektronik për planifikimin e vizitave në QSH. Gjithashtu, HAP po bashkëpunon me partnerët zviceranë për realizimin e një platforme për vetë-kontrollin e simptomave të COVID-19.