Master në Infermierinë Familjare

Në Shqipëri tashmë është institucionalizuar formimi i infermierëve në nivel studentor. Gjithashtu, universitetet kanë institucionalizuar edhe programe formimi pasuniversitare të ndryshme, si programi Master në Infermieri, me në qendër kategori profesionale të ndryshme. Megjithatë, deri tani as nuk është përgatitur dhe as zbatuar asnjë program Masteri Profesional në Infermieristikën në Familje. Ekziston një nevojë e shprehur për ngritjen e një programi të tillë, me qëllim përmirësimin e formimit të kësaj kategorie profesionale, që do të jetë në gjendje të plotësojë nevojat në rritje të një popullsie në plakje. Ndaj, HAP-2 po bashkëpunon ngushtësisht me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Mjekësisë, me qëllim përgatitjen dhe zbatimin e një programi të Masterit Profesional në Infermieristikën  në Familje.

Në këtë kuadër, HAP-2 do të ofrojë ekspertizë teknike prej institucioneve akademike të specializuara nga Zvicra dhe/ose nga vende të tjera të Evropës Perëndimore, për të punuar me personelin akademik të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike si dhe do të të ofrojë trajnime me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike dhe pedagogjike të personelit akademik të Fakultetit.  Gjithashtu, Projekti do të sigurojë mbështetje materiale për Fakultetin e Infermierisë për të përmirësuar infrastrukturën e mësimdhënies, forcojë aftësitë pedagogjike dhe klinike të pedagogëve të infermierisë, lehtësojë procesin e krijimit të lidhjes së disa qendrave shëndetësore me Fakultetin e Infermierisë, me qëllim vendosjen e kushteve për praktikën e studentëve si dhe investojë në mjediset mësimore për infermierët e rinj të familjes në qendrat shëndetësore që bashkëpunojnë me Fakultetin e Infermierisë.