Hapet programi i ri master profesional Infermieri Familje

Programi i ri master profesional “Infermieri familje” ofrohet tashmë në Shqipëri nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, mbështetur nga projekti “Shëndet për të Gjithë”. 14 studentë janë përzgjedhur për të ndjekur programin në vitin akademik 2021-2022 të cilët do të marin diplomën në Master Profesional “Infermieri Familje” dhe kualifikimin e specializuar të Infermierit të Familjes pas përfundimit me sukses të programit.

Masteri profesional në infermieri familje është hartuar për të plotësuar profilin e ri të infermierit të familjes, si domosdoshmëri, për t’ju përgjigjur nevojës në rritje për shërbim të kualifikuar në banesë, trajtimit të sëmundjeve kronike jo-të transmetueshme dhe prirjes për plakjen e popullatës. Kurrikula e programit është hartuar me ekspertizën e institucioneve arsimore të profilit të shkencave mjekësore teknike të Bazelit, Zvicër dhe ofron integrimin e teorisë dhe praktikës me një vëmendje të shtuar tek praktika. Studentët fitojnë aftësi të shumta praktike që zhvillohen në laboratorin e ri simulues të praktikës klinike të FSHMT dhe praktikave profesionale në Qendrat Shëndetësore me të cilat Fakulteti ka marrëveshje bashkëpunimi.

Një aspekt i vecantë i masterit është përfshirja e elementeve të lidhura me perspektivën gjinore në programet e lëndëve. Për këtë, stafi akademik përgjegjës për masterin është trajnuar lidhur me përkatësinë gjinore dhe shëndetin dhe iu mundësua konsulencë individuale për cdo lektore.

Në mbështetje të masterin, HAP ka bërë të mundur:

  • Përmirësimin e infrastrukturës mësimore përmes ndërtimit të laboratorit simulues të praktikës klinike pranë FSHMT i cili  synon aftësimin sa më të mirë praktik të studentëve.
  • Ekspertizë teknike për grupin multidisiplinar të punës për draftimin e kurrikulës së masterit. Grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të MSHMS, UMT, FSHMT, Urdhri i Mjekut, Urdhri i Infermierit si dhe ofrues të Kujdesit Shëndetësor Parësor) është mbështetur nga ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë.
  • Rritjen e kapaciteteve të lektorëve përgjegjës përmes sigurimit të literaturës së referencës, trajnimit nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë, vizita studimore pranë institucioneve ndërkombëtare arsimore.
  • Ofrimin pa pagesë të materialeve mësimore për studentët, përpara fillimit të çdo moduli.
  • Përmirësimin e infrastrukturës në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor ku do të zhvillohen praktikat mësimore për studentët. Supervizorët e praktikës dhe ekipeve infermierore të QSH që do të ofrojnë praktikat mësimore në infermieri në familje janë trajnuar me synim aftësimin praktik të studentëve