Grupi teknik për Strategjinë e KSHP vizitë studimore në Slloveni

Që prej muajit mars 2019, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur një grup teknik për hartimin e Strategjisë së Kujdesit Shëndetësor Parësor në përbërje të të cilit janë ekspertë të shëndetit publik dhe të kujdesit parësor si dhe ekspertë ndërkombëtarë të mobilizuar nga HAP. Gjatë periudhës mars-qershor, Grupi ka zhvilluar një seri diskutimesh  ku janë analizuar aspekte të ndryshme të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe mundësitë e zhvillimit.

Në këtë kuadër, HAP mbështeti një vizitë studimore të anëtarëve të Grupit Teknik e cila u zhvillua në Slloveni nga data 25 deri në 29 qershor 2019. Sllovenia ka zbatuar një sistem efikas të kujdesit shëndetësor parësor dhe ofron praktika të mira  lidhur me menaxhimin e problemeve kryesore të shëndetit publik nëpërmjet shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor.

Gjatë vizitës, anëtarët e grupit teknik u njohën me sistemin e shëndetit publik dhe politikat e kujdesit shëndetësor në Slloveni, aspektet organizative të shërbimeve të ofruara në nivelin e  KSHP-së, organizimin dhe funksionimin e shërbimit të integruar të kujdesit në shtëpi, promocionin shëndetësor dhe parandalimin.

Delegacioni shqiptar zhvilloi takime me përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik në Ljubljanë si dhe vizitoi qendra shëndetësore të kujdesit parësor në Ljubjanë dhe Sevnica.