Fillon zbatimi në nivel kombëtar i ndërhyrjeve të HAP

Që prej fillimit të fazës së dytë të zbatimit (1 prill 2019) HAP ka punuar, ndër të tjera, në krijimin e modeleve të kujdesit shëndetësor në banesë dhe rishikimin e protokolleve të mjekimit për trajtimin, nga profesionistët e KSHP-së, të 5 sëmundjeve jo të transmetueshme: hipertensioni, diabeti mellitus tip 2, dislipidemitë, astma dhe sëmundja pulmonare obstruktive kronike.

Pas një procesi të gjatë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës me partnerët, dokumentet finale u miratuan nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila vendosi të shtrijë këto ndërhyrje në nivel kombëtar duke filluar me 18 qendra shëndetësore në 4 qarqe, përkatësisht Korçë, Shkodër, Elbasan dhe Durrës. Në këtë kuadër, HAP po mbështet Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Njësitë Vendore në zbatimin e masave për shtrirjen. Më konkretisht, mbështetja e deritanishme e HAP ka konsistuar në:

  • Aftësimin e ekipeve (Mjek Familje dhe Infermier Familje) në përdorimin e protokolleve për 5 SJT

HAP ka mbështetur NjVKSh Durrës, Berat dhe Shkodër në trajnime për trajnerë për aftësimin në zbatimin e protokolleve të përditësuara për menaxhimin e 5 SJT-ve në nivelin e KSHP-së. Secila prej NjVKSH-ve ka marrë masat për të trajnuar ekipe me mjekë familje dhe infermierë të QSH-ve në zonat përkatëse lidhur me përdorimin e protokolleve dhe udhëzuesve klinikë për trajtimin e diabetit, dislipidemisë, astmës, hipertensionit dhe SPOK-ut.

  • Marrjen e masave për zbatimin e kujdesit shëndetësor në banesë

Në vijim të takimeve me secilën NjVKSH, HAP i ka pajisur me rregulloren e brendshme për organizimin e kujdesit në banesë në nivel QSH-je. Në këtë kuadër, janë zhvilluar vizita për shkëmbimin e eksperiencave të QSh-ve nga qarku Korçë dhe Durrës në qendrën shëndetësore të Patosit ku janë zbatuar suksesshëm disa ndërhyrje të HAP, përfshirë këtu kujdesi shëndetësor në banesë dhe përdorimi i protokolleve të reja.