Takimet me komunitetin, një platform për dialog

Kjo është hera e dytë që Qendra Shëndetësore Nr. 1 në Burrel, nën drejtimin e dr. Hyqmete Ruçit, organizon takim me komunitetin. Të mbështetura nga Projekti Shëndet për të Gjithë, si një mjet për t’ju mundësuar qytetarëve pjesëmarrjen në faza të ndryshme të zinxhirit të shërbimit të kujdesit shëndetësor, këto takime kanë fituar emër si rritës të transparencës dhe përgjegjshmërisë, duke ndryshuar natyrën e ndërveprimit midis ofruesit të shërbimit dhe qytetarit.

Sot në ambientet e Pallatit të Kulturës të qytetit të Burrelit drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr. 1, Dr. Hyqmete Ruci ka organizuar takimin e radhës me komunitetin e kësaj qendre. Qëllimi i takimit ka qenë prezantimi i analizës vjetore të punës të qendrës shëndetësore përgjatë 2016, si edhe synimet dhe sfidat e 2017. Të pranishëm në këtë takim, të dytin për këtë komunitet, ishin stafi mjekësor i qendrës shëndetësore, përfaqësues të institucioneve drejtuese lokale, pacientë dhe anëtarë të komunitetit që shërbehet nga kjo qendër.

Dr. Hyqmetja ka prezantuar para pjesëmarrësve treguesit punës për secilin mjek që shërben pranë kësaj qendre, duke krahasuar të dhënat e 2016 me ato të 2015; numrin e depistimeve për kancerin e gjirit dhe prostatës; nivelin e kontrolleve mjekësore bazë (check-up); planifikimi familjar, etj.