Buletini nr. 8: “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri përballë COVID-19”

Gjatë kësaj jave në qarkun Fier janë identifikuar 2 raste të reja infektimi me COVID-19 ndërkohë që në qarkun Dibër vijon të mos ketë asnjë rast. Shërbimi në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor në të dy qarqet po i rikthehet gradualisht normalitetit, ku vërehet rritje e numrit të vizitave në qendrat shëndetësore.

Duke filluar nga data 18 maj 2020, do të rifillojë mësimi në shkollat e mesme vetëm për maturantët, duke respektuar udhëzimet e autoriteteve shëndetësore.  Nisur nga kjo, qendrat shëndetësore duhet të marrin masat që një infermier të jetë në ambjentet e shkollës për të kryer matjen e temperaturës për nxënësit

Projekti Shëndet për të Gjithë ka vijuar përgatitjen dhe publikimin e materialeve trajnuese për profesionistët shëndetësorë në përgjigje të pyetjeve më të shpeshta që iu bëhen lidhur me COVID-19. Aktualisht, në faqen zyrtare të HAP janë publikuar 4 materiale lidhur me: simptomat dhe përhapja e COVID-19; vetë-izolimin dhe vetë-karantinimin, mbrojtjen nga infeksioni për gratë shtatëzëna dhe nënat e reja; rëndësinë e aktivitetit fizik gjatë COVID-19. Materialet mund të shkarkohen KETU

Të njëjtat tema janë përpunuar edhe për publikun dhe mund të shkarkohen në këtë link KETU

Roli i infermierëve të ambulancave në zonat e thella për përballjen me COVID-19

Lejçani është një fshat i vogël me vetëm 270 banorë, rreth 1 orë e gjysmë larg Bulqizës. Pavarësisht numrit të vogël të banorëve dhe distancës nga qendrat urbane, rreziku i COVID-19 është po aq real atje sikurse në çdo cep tjetër të vendit, edhe për arsye të emigrantëve, disa prej të cilëve janë riatdhesuar së fundmi. Për këtë arsye, infermierët e ambulancave në zona të tilla, janë angazhuar gjithashtu në gjurmimin e rasteve me COVID-19 duke ndjekur gjendjen shëndetësore të personave që kthehen në Shqipëri pas vizitës/jetesës në një nga vendet fqinje.

Marius Cani, është infermieri i ambulancës Lejçan (QSH Ostren) dhe na tregon se si e kryen ai monitorimin e gjendjes shëndetësore të një personi që vetë-karantinohet pas rikthimit në Shqipëri. “Kisha rastin e një personi të riatdhesuar nga Greqia i cili ka qenë i karantinuar për 14 ditë në një hotel në Përmet.-tregon Mariusi. Pas karantinimit 14-ditor në hotel, ai duhet të qëndronte dhe 2 javë të tjera i vetë-karantinuar në shtëpi dhe gjatë kësaj kohe, e kam vizituar 1 herë në ditë në shtëpi duke respektuar distancën dhe masat e tjera mbrojtëse si dhe e kam telefonuar cdo 6 orë për ta pyetur për temperaturën dhe simptoma të mundshme të infektimit me COVID-19 si kollë ose vështirësi në frymëmarrje.”

Vjollca, infermiere në ambulancën Rabdisht (QSH Melan) kryen gjithashtu gjurmimin e rasteve në fshatin e saj bazuar në të dhënat që merr nga mjekja e familjes dhe kryeplaku i fshatit. Ajo tregon se megjithëse i njeh të gjithë banorët e fshatit, jo gjithmonë njerëzit reagojnë mirë ndaj telefonatave të saj rutinë për ndjekjen e gjendjes shëndetësore të kontakteve: ‘Ka raste-thotë ajo- që njerëzit shfaqin një farë besdisje për faktin se ata janë tashmë të informuar lidhur me COVID-19 dhe ndihen disi të paragjykuar” Pavarësisht kësaj, Vjollca shprehet e vendosur që të bëjë më të mirën që COVID-19 të mos përhapet në fshatin e saj me 350 banorë dhe thekson se “Roli ynë është gjithashtu që të ndeshemi dhe të mundim paragjykimet”

Ashtu si Mariusi dhe Vjollca, janë dhe shumë infermierë që punojnë në zona të thella, ku është e pamundur prania e mjekut të familjes në çdo kohë. Në këtë mënyrë, për shumë banorë, ata janë shpesh pika kyçe për marrjen e shërbimit shëndetësor në kohë dhe pranë vendbanimit. Një falenderim shumë i madh iu shkon këtyre infermierëve që punojne në kushte shumë të vështira, me sakrifica, por me shumë vullnet dhe humanizëm.