Buletini nr. 12: “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri përballë COVID-19”

Aktualisht në të dy qarqet ku operon HAP, ka raste infektimesh me COVID-19. Në qarkun Fier ka 41 raste aktive nga të cilët 9 janë të shtruar në spital kurse në qarkun Dibër ka 18 raste nga të cilët 2 persona po marrin trajtim spitalor (referuar të dhënave të MSHMS të datës 10 korrik www.coronavirus.al).50 personat e vetë-izoluar në shtëpi po monitorohen nga mjekët e familjes së qendrave shëndetësore përkatëse në përputhje me protokollet e autoriteteve shëndetësore.

Mbërrijnë respiratorët e dhuruar nga Zvicra, Norvegjia dhe UNDP

Mbërritën në Shqipëri respiratorët e rinj, dhuratë e qeverisë së Zvicrës, Norvegjisë  dhe UNDP në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të terapisë intensive për përballimin e  situatës së  shkaktuar  nga COVID-19. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Z. Patrik Meier, Zv. Shef i Misionit,  Ambasada  e  Zvicrës  u  shpreh si vijon:  “Në linjë me angazhimin zviceran për një shëndetësi më të fortë, ventilatorët e rinj shërbejnë për të rritur kapacitetet për të përballuar jo vetëm pacientë me COVID-19, por edhe për të trajtuar pacientë me komplikime të tjera të frymëmarrjes”.  Kontributi zviceran prej rreth 330,000$  u realizua përmes projektit Shëndet për të Gjithë. Më shumë

HAP dhuron maska mjekësore për ekipet e kujdesit shëndetësor parësor

  • Ekipet e 92 qendrave shëndetësore në qarkun Dibër, Fier dhe Tiranë u pajisën gjatë muajit qershor me maska mjekësore nga Projekti Shëndet për të Gjithë. Në vijimësi, në mbështetje të profesionistëve shëndetësorë të kujdesit parësor në përballjen me COVID-19, HAP do të shpërndajë së shpejti edhe doreza mjekësore për profesionistët e KSHP-së.  Më  shumë

Materiale edukuese për ekipet e QSH-ve dhe pacientët

Një set materialesh edukuese për COVID-19, (postera dhe fletëpalosje) iu shpërndanë nga HAP qendrave shëndetësore në qarqet Fier, Dibër dhe Tiranë. Materialet janë bazuar në rekomandimet e OBSH dhe përmbajnë këshilla për profesionistët shëndetësorë dhe publikun në kuadër të parandalimit dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.

Përdorimi i materialeve trajnuese të përgatitura nga HAP: dëshmi nga profesionistët

Që prej fillimit të pandemisë COVID-19 në Shqipëri, HAP ndërmori masat për hartimin e një seti materialesh trajnimi për COVID-19 me fokus profesionistët e kujdesit shëndetësor parësor. Materialet janë shpërndarë gjerësisht brenda ekipeve të qendrave shëndetësore dhe së fundmi po përdoren nga ekipe të ndryshme si bazë për trajnime brenda qendrës shëndetësore. Duam të ndajmë me ju mendimet e Entelës, infermiere në QSH Kastriot (qarku Dibër).

Nga materialet trajnuese të publikuara nga HAP, cilat tema kane qenë vecanërisht të dobishme për ju personalisht si pjesë e personelit infermieror?

Materialet e HAP kanë qenë  ndihmë e madhe për ne sidomos në javët e parë të përballjes  me COVID -19, pasi ka pasur shumë informacione të dobishme për të gjithë, si për personelin shëndetësor edhe për pacientet dhe komunitetin. Gjatë periudhës së karantinës, kur nuk lejoheshin grumbullimet dhe takimet, morëm masa që të shpërndanim elektronikisht materialet dhe në këtë mënyrë u informua i gjithë personeli i qendrës shëndetësore Kastriot.

Temat më të dobishme për të gjithë personelin  shëndetësor kanë qenë ato të mbrojtjes faciale dhe higjenizimi i duarve të cilat kanë shërbyer si kujtesë për infermieret, pasi praktika të tilla nuk janë  aplikuar  gjerësisht nga personeli shëndetësor parësor (veçanërisht përdorimi i maskave dhe dorezave).

Tashmë që janë lehtësuar kufizimet, po planifikojmë që të kryejmë takime në Grupe Kolegësh brenda ekipit të qendrës shëndetësore ku baza do të jenë materialet për parandalimin dhe kontrollin e infeksionit me COVID-19, të përgatitura nga HAP. Në këtë kuadër, po përgatisim dokumentacionin që takimet të jenë të akredituara nga QKEV.

A mund të sillni shembuj konkrete të cështjeve që keni këshilluar dhe ju kanë ardhur në ndihmë materialet e HAP?

Kanë qenë shumë të rëndësishme këshillat për gratë shtatëzëna pasi kanë qenë shumë të frikësuara. Si infermiere, unë dhe koleget, i kemi këshilluar që të mbajne distancë fizike me njerëzit, të lajnë duart dhe higjenën personale, të mbajnë një ambient të pastër dhe të dezinfektuar, të lajnë me ujë të bollshëm dhe të pastër frutat e perimet, të gatuajnë/ziejnë mirë ushqimet me bazë shtazore dhe nën-produktet e qumështit. Po ashtu janë këshilluar që gjatë karantinës të shmangnin lëvizjet për të kryer analiza apo konsulta te mjeku obstetër,  por të qëndrojnë në kontakt me infermieret dhe me mjekun me anë të telefonit.

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim i cili po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale