Buletini nr. 11: “Kujdesi shëndetësor parësor në Shqipëri përballë COVID-19”

  • Në qarkun e Dibrës dhe Fierit ka aktualisht 18 raste pozitive (9 në secilin qark), të gjithë të vetë-izoluar në shtëpi. Ekipet e qendrave shëndetësore dhe/ose ambulancave përkatëse po monitorojnë gjendjen shëndetësore të të gjithë personave të infektuar.
  • Mjekët e familjes në qarkun Fier kanë marrë pjesë në trajnimin e organizuar nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor lidhur me rolin e mjekut të familjes në depistimin, menaxhimin dhe referimin e rasteve me Covid 19.
  • Në vijim të udhëzimit të MSHMS për ri-hapjen e disa aktiviteteve, ndër të cilat edhe kurset e formimit, disa qendra shëndetësore po marrin masa për organizimin e trajnimeve brenda ekipit lidhur me parandalimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, bazuar në materialet trajnuese të hartuara dhe publikuara nga HAP. Disa ekipe po punojnë për ri-fillimin e Grupeve të Kolegëve (një formë e Edukimit të Vazhdueshëm të prezantuar dhe mbështetur nga HAP) të ndërprera për shkak të masave për parandalimin e përhapjes dhe kontrollin e COVID-19. Projekti Shëndet për të Gjithë është i hapur të mbështesë ekipet e KSHP në mbarë vendin duke iu mundësuar materialet trajnuese në format të editueshëm. Mund të drejtoni kërkesën për materialet trajnuese në info@hap.org.al
  • Ekipet e kujdesit shëndetësor parësor, në bashkëpunim me NjVKSH-të përkatëse, vijojnë të jenë prezentë në shkollat e mesme për të monitoruar zbatimin e udhëzuesit për “Qëndrimin dhe lëvizjet në shkollë (COVID-19)”. Nertila Giçi, infermiere në QSH Nr. 1 Lushnje na tregon për përvojën e saj në shkollën “Jani Nushi”: “Puna ime në shkollë konsiston në matjen e temperaturës me termometer Dixhital të gjithë nxënësve dhe stafit të mësuesve para se të hyjnë në ambientet e shkollës, sprucim me alkool ose dezinfektant të duarve, këshillim dhe kontroll për mirëperdorimin e maskave, kontroll për respektimin e distancimit në oborrin e shkollës, gjatë ecjes si dhe në banka, kontrollin higjeno-sanitar të ambienteve sipas protokollit, këshillim dhe kontroll i proçedurave të higjienës për pastrimin e duarve me ujë e sapun si dhe kontrollin e çdo nxënësi për probleme shëndetësore. Nga trajnimet që na janë mundësuar nga HAP-i e kisha me të lehtë për të këshilluar në lidhje me zbatimin e masave parandaluese si dhe në menaxhimin e situatave.

Përballja me COVID-19: dëshmi nga profesionistët

Pas disa muajsh si zonë e gjelbër, në bashkinë Mat janë identifikuar disa raste pozitive me COVID-19 në fshatin Urakë). Ekipi i qendrës shëndetësore Rukaj dhe ambulancës Urakë, po monitoron gjendjen shëndetësore të personave, pjesa më e madhe e të cilëve janë asimptomatikë. Biseduam me Dr. Shpëtim Ruka, mjek familje dhe drejtor i QSH Rukaj, i cili na tregon më shumë për punën që po kryhet në kuadër të parandalimit të përhapjes së mëtejshme të infeksionit:

Dr. Shpëtimi, si u lajmëruat për rastet e para me COVID-19 në zonën që mbulon qendra juaj?

Më 28 maj më kontaktuan familjarët e një pacienteje e cila ishte shtruar që prej disa ditësh tek Spitali i Sëmundjeve Interne,  por ishte transferuar tek Spitali Infektiv pasi kishte rezultuar pozitive në testimin për COVID-19 (ndonëse më herët kishte rezultuar negative). Kontaktova menjëherë me epidemiologun dhe një ekip nga shërbimi epidemiologjik i rrethit filloi kryerjen e testimeve tek personat e kontaktit. Deri më 2 qershor, 9 persona kanë rezultuar pozitivë, kryesisht asimptomatikë. Që ditën e parë është bërë dezinfektimi i ambjenteve si dhe u morën masa me administratorin e komunës për të bërë të mundur dërgimin e ndihmave ushqimore.

Si monitorohet konkretisht shëndeti i personave të dyshuar/infektuar me COVID-19?

Menjëherë pas marrjes së lajmit, kontaktuam familjarët dhe personat që kanë pasur kontakt me pacienten që të karantinohen. Dy infermieret e ambulancës Urakë komunikojnë në telefon 3-4 herë në ditë me personat e infektuar për të monitoruar gjendjen shëndetësorë të tyre. Personalisht kam dërguar në ambulancën Urakë medikamente për menaxhimin e temperaturës dhe kollës (në rast se do të kenë simptoma) si dhe medikamentet për pacientët kronikë. Deri në këto momente, vetëm një person ka shfaqur temperaturë deri në 38o, pacientët e tjerë vijojnë të jenë pa simptoma.

Cila është sfida që hasni më shpesh?

Sfida më e madhe që kemi hasur është furnizimi me mjetet mbrojtëse pasi duke qenë zonë e gjelbër e kishim neglizhuar disi kërkesën për tu pajisur.  Me konfirmimin e rasteve ka qene e domosdoshme përdorimi i pajisjeve dhe ka qenë sfidues fakti që kishim sasi të pamjaftueshme. Gjithashtu, është sfiduese të komunikosh gjithë kohës në telefon me personat e kontaktit, të infektuar ose jo,  të cilët janë të frikësuar. Puna bindëse me komunitetin kërkon gjithashtu shumë përpjekje pasi është e vështirë që njerëzit të kuptojnë rrezikun e qëndrimit në grupe dhe bare.