Banorët e Patosit kanë tashmë akses në një shërbim më të mirë mjekësor në QSH-në e rehabilituar

Ekipi mjekësor i përbërë nga 12 mjekë familje dhe 41 infermierë ofron shërbim 24 orësh në qendrën shëndetësore të rindërtuar në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare për kujdesin shëndetësor parësor.

Qendra shëndetësore Patos u vizitua më 8 mars nga Kryeministri Edi Rama, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Z. Adrian Maître, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës HAP Dr. Besim Nuri, Deputetja e zonës Znj. Antoneta Dhima dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Rehabilitimi i qendrës u bë i mundur në sajë të investimit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Swiss Agency for Development and Cooperation-SDC) dhe me kontribut të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila do të rimbursojë vlerën e TVSH-së.

Në qarkun e Fierit, krahas 6 qendrave shëndetësore të ri-konstruktuara përmes Projektit Shëndet për të Gjithë (Health for All Project-HAP) janë duke u rikonstruktuar edhe qendra të tjera shëndetësore, përkatësisht në Lushnje, Aranitas dhe Fratar.

Muajt e fundit në QSH Patos u shpërndanë çantat e infermierit për të 41 infermierët e kësaj qendre, një tjetër investim ky i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Çanta përfshin 15 instrumente mjekësorë të cilët janë të nevojshëm për praktikën klinike të infermierëve dh në këtë mënyrë i ndihmojnë infermierët të ofrojnë një shërbim më të mirë mjekësor për pacientët, veçanërisht për gratë, të moshuarit dhe fëmijët. Në të gjithë qarkun e Fierit rreth 640 infermierë familje në kujdesin shëndetësor parësor janë pajisur më çantën e infermierit.

Në vitin 2016-2017,  HAP shpërndau çantën e mjekut për 164 mjekë familje të 45 qendrave shëndetësore të kujdesit parësor në qarkun Fier.

Përmbledhje e mbështetjes së Qeverisë Zvicerane për një shëndet më të mirë për banorët e Patosit

Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka mbështetur vazhdimisht përmirësimin e cilësisë së shërbimit në kujdesin shëndetësor parësor duke investuar në zhvillimin e burimeve njerëzore përmes (I) forcimit të aftësive menaxheriale dhe klinike të drejtuesve si dhe përmes (II) mbështetjes së ndërhyrjeve për fuqizimin e komunitetit (iniciativa për transparencë & përgjegjshmëri si dhe për promocionin shëndetësor).

Në kuadër të burimeve njerëzore, HAP ka trajnuar ekipet e mjekëve të familjes dhe infermierëve të qendrave shëndetësore për trajtimin e situatave mjekësore akute, përmirësimin e aftësive në rastet e emergjencave, menaxhimin shëndetësor, financimin, buxhetimin, prokurimin dhe hartimin e planeve vjetore. Që prej vitit 2016, projekti HAP mbështet edukimin e vazhdueshëm mjekësor të mjekëve dhe infermiereve përmes grupeve të kolegëve dhe/ose forumeve të menaxherëve për shkëmbimin e informacioneve profesionale.

Nisur nga rëndësia që ka informacioni për fuqizimin e rolit të qytetarëve, në Patos janë organizuar sesione informuese me pjesëmarrjen e 95 personave. Synimi i këtyre sesioneve është rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e pacientit duke synuar një shërbim më të mirë shëndetësor. Në kuadër të transparencës dhe përgjegjshmërisë, QSH Pato, me mbështetjen e projektit HAP, ka organizuar për të tretin vit radhazi Analizën Vjetore me pjesëmarrjen e komunitetit, pushtetit vendor dhe institucioneve shëndetësore.

Në lidhje me promocionin shëndetësor si një pjesë integrale e iniciativave të mbështetura nga HAP, në bashkinë Patos është zhvilluar fushata e ndërgjegjësimit për diabetin ku morën pjesë rreth 1000 anëtarë të komunitetit.