Takimi i gjashtë i Komitetit Drejtues të Projektit SHëndet për të Gjithë

Anëtarët e Komitetit Drejtues u takuan në Tiranë më 19 tetor 2018 për të shqyrtuar zbatimin e planit të punës për gjashtëmujorin e parë të vitit, rekomandimet e Analizës afatmesme dhe planin e punës për pjesën e mbetur të vitit.

Të pranishëm në takim ishin Znj. Mejvis Kola, Këshilltare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  donatorët, të përfaqësuar nga znj. Debora Kern dhe znj. Zhenihen Zanaj nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përfaqësues të organizatave zbatuesve të projektit, Z. Kaspar Wyss (Swiss Tropical and Public Health Institute) njëkohësisht Drejtor i Projektit, Znj. Anila Meco (Save the Children), Znj. Jezerca Tigani (Terre des Hommes), përfaqësues të institucioneve kyç në sektorin e shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Organizata Botërore e Shëndetit (WHO), UNFPA, kryetari i bashkisë Klos, nënkryetarja e bashkisë Lushnje,  mjekë familje, Urdhri i Mjekut,  QKEV, OJQ lokale.

Komiteti Drejtues i Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) e mirëpriti progresin e bërë nga projekti për periudhën janar-qershor 2018 dhe mbështeti planin e punës për deri në fund të vitit.

Mes rezultateve të arritura në gjashtëmujorin e parë të 2018, spikasin:

  • Rehabilitimi i plotë i 4 qendrave shendetësore në qarkun e Fierit (Patos, Roskovec, Kurjan dhe Strum) nga i cili përfitojnë mbi 30,000 banorë
  • Janë shpërndarë 233 peshore dhe 320 sete për monitorimin e rritjes dhe ushqyerjes  së fëmijës
  • 394 infermiere kanë marrë pjesë në takimet e grupeve të kolegëve si një formë e Edukimit Mjekësor në Vazhdim (EMV)
  • 110 mjekë familje në Lushnje dhe Dibër u pajisen me kompjuterë dhe u trajnuan për përdorimin sa më efektiv të tyre;
  • 20 drejtorë spitalesh ndoqën kursin e ‘Menaxhimit spitalor’
  • u zhvilluan 16 takime të drejtorëve të qendrave shëndetësore me komunitetin për të analiuzar performancën e qendrës shëndetësore
  • 600 nxënës janë bërë pjesë e fushatës “shkolla të shëndetshme” të zbatuar në tri shkolla të Dibrës
  • 7000 persona morën pjesë në fushatën për matjen e tensionit e cila u mbështet nga Projekti HAP

Progres raporti për 6-mujorin 2018 u prezantua nga Menaxheri i Projektit HAP, Dr. Besim Nuri, dhe u mbështet nga anëtarët e Komitetit Drejtues, të cilët gjithashtu përshëndetën punën e mirë të ekipit për zbatimin me sukses të aktiviteteve të projektit.